OVK-ja mbajti Mbledhjen e Përgjitshme Vjetore të Punës: sfidë – mungesa e ligjit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email
Printo

Oda e Veterinerëve e Kosovës mbajti Mbledhjen e Përgjitshme Vjetore të Punës. Në pjesën e parë të këtij takimi të pranishmëve iu drejtua Kryetari i OVK-së, Xhevdet Krasniqi, ku prezantoi raportin e punës dhe atë financiar për periudhën një vjeçare, ndërsa nënkryetari, Hasan Limani, prezantoi planin e ardhshëm të punës, e që u aprovuan njëzëri nga të pranishmit.

Gjatë harkut një vjeçar të punës, kryetari dhe nënkryetari mbikëqyren gjithë punën në çdo njësi rajonale në nivel vendi të veterinerëve ku u njoftuan me sfidat dhe punën e deritashme që nga themelimi i OVK.

Gjatë debatit u nxorën edhe disa konkluzione.

Duke marrë parasysh volumin e punëve të përfunduar me sukses, përkundër buxhetit të vogël, u shtrua nevoja për rritjen e buxhetit. Po ashtu u tha që top prioritetet e kryesisë do të mbështeten ndër të cilat edhe zyra dhe pagat.

Nisur nga fakti që ky institucion mbahet nga të hyrat vetanake, u kërkua që nëse veterinerët nuk e paguajnë me kohë anëtarësinë, të dërgohen te përmbaruesi. Gjithashtu u kërkua që të ketë shënime edhe për kafshët e mëdha, meqë po merremi vetëm me ato të voglat.

Një brengë tjetër që u shfaq aty, ishte edhe me procedurat e tenderimit. Kjo për faktin se po paguhet sigurim tenderi për komplet shumën, ndërsa në anën tjetër po realizohet shumë pak. Me atë realizim as tatimet e punëtorëve nuk po arrihet të paguhen.

Gjithashtu u kërkua, që veterinerët të njihen sa më shumë me legjislacionin.

Arsim Ademi, ish nënkryetar i OVK-së dhe profesor universitar, kërkoi që seminare të organizojnë edhe profesorët nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Edhe në këtë takim u potencua mungesa e ligjit për OVK, që po e pa mundëson funksionimin e mirëfilltë të saj.