Oda e Veterinerëve e Kosovës në zgjedhjet e brendshme ka zgjedhur Hasan Limanin në krye të këtij institucioni. Ai ka marrë besimin e shumicës së anëtarëve. Paraprakisht ka pasur postin e nënkryetarit të OVK-së.
Limani ka falënderuar kryesinë dhe delegatët për besimin dhe mbështetjen e tyre ku si nënkryetar i OVK-së, të cilët e kanë shtyrë të shpall kandidaturën e tij për kryetar. Ai tha se ky besim e nxit t’i shërbejë me përkushtim dhe integritet komunitetit të mrekullueshëm.
“Besoj se mund të bëjmë ndryshime thelbësore në sistemin e mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe në përkrahjen për profesionin tonë”, tha Limani.
Ai tha se gjatë mandatit të tij do të angazhohet për rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional, përmirësimin e kushteve të punës dhe të infrastrukturës, promovimin e bashkëpunimit me institucionet, transparencë dhe llogaridhënie në udhëheqje si dhe avancimin e statusit dhe rolit të veterinarëve në shoqëri.
“Është koha që shoqëria ta kuptojë vlerën që ne sjellim në sektorin e bujqësisë, shëndetësinë e kafshëve dhe mbrojtjen e konsumatorit. Veterinarët janë mbrojtësit e shëndetit publik dhe të sigurisë ushqimore, dhe zëri ynë duhet të dëgjohet dhe të respektohet”, tha ai duke nënvizuar se së bashku mund të ndërtojnë një Odë të fortë, e cila i mbron dhe i mbështet anëtarët e saj në çdo hap të rrugëtimit profesional.
Kuvendi për nënkryetar, zgjodhi DMV. Fitim Ahmetin.