Limani në tryezën kombëtare për mirëqenien e kafshëve: Bashkëpunim dhe shkëmbim përvoje për mirëqenien e kafshëve

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Kryetari i Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK), DMV. Hasan Limani, mori pjesë në tryezën kombëtare “Mirëqenia e kafshëve si politikë vendore dhe çështje e sigurisë publike”, të organizuar për të tretin vit radhazi nga organizata Animals Need Me, në Tiranë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, profesionistë veterinarë, përfaqësues të botës akademike, pushtetit lokal dhe organizatave të shoqërisë civile. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesi i delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, DMV. Tana Shtylla.

Në fokus të tryezës ishte Indeksi Kombëtar i Mirëqenies së Kafshëve 2025-2026, si dhe të dhëna mbi strehimoret, sterilizimin, regjistrimin dhe mikroçipimin e kafshëve, buxhetet lokale dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë.

Kryetari i OVK-së, DMV. Hasan Limani, e vlerësoi pozitivisht organizimin e tryezës dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, profesionistëve veterinarë, akademisë dhe organizatave që veprojnë në fushën e mirëqenies së kafshëve.

Limani falënderoi në mënyrë të veçantë organizatorin Oli Fero për organizimin e kësaj tryeze dhe për krijimin e një hapësire të rëndësishme për dialog profesional dhe institucional.

Gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet odave veterinare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fushën e mirëqenies së kafshëve, shkëmbimit të përvojave profesionale, edukimit të vazhdueshëm dhe koordinimit të iniciativave me interes të përbashkët.

Kryetari Limani shprehu gatishmërinë e Odës së Veterinerëve të Kosovës për të kontribuar në këtë bashkëpunim rajonal dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me institucionet dhe organizatat profesionale të vendeve të rajonit.

Pjesëmarrja në këtë tryezë ishte gjithashtu një mundësi për shkëmbimin e përvojave ndërmjet profesionistëve veterinarë dhe institucioneve, si dhe për diskutimin e rolit të veterinerit në hartimin dhe zbatimin e politikave për mirëqenien e kafshëve, shëndetin publik dhe sigurinë e komunitetit.


Oda e Veterinerëve e Kosovës mbetet e përkushtuar për të kontribuar me ekspertizën profesionale veterinare në iniciativa që synojnë mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve, forcimin e profesionit veterinar dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme në këtë fushë.