Profesorë kosovarë prezantojnë studime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare të Mjekësisë Veterinare në Durrës

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Në Durrës të Shqipërisë u mbajt Konferenca e 1-rë Ndërkombëtare e Mjekësisë Veterinare Shqiptare, organizuar nga Urdhri Profesionist i Mjekut Veterinar Shqiptar, ku morën pjesë mbi 600 vet nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e BE-së.

Pjesë e kësaj konference ishin edhe profesorë kosovarë, të cilët prezantuan punime shkencore të cilat u vlerësuan lart nga të pranishmit.

Profesori universitar, Kurtesh Sherifi, ligjëroi temën “Mbikëqyrja e rriqrave dhe zbulimi i virusit të etheve hemorragjike Krime-Kongo” duke theksuar rëndësinë e këtij studimi për parandalimin e sëmundjeve zoonotike.

“Monitorimi i vazhdueshëm është një hallkë kyçe në parandalimin e sëmundjeve që prekin si kafshët ashtu edhe njerëzit”, tha ai.

DMV. Armend Cana, PhD, shef i Serologjisë dhe i Diagnostikës, Laboratori Kosovar i Ushqimit dhe i Veterinarisë Molekulare, prezantoi temën “Gripi i shpendëve dhe potenciali i tij zoonotik – Rasti i Kosovës” duke ngritur alarmin për bashkëpunim në këtë drejtim.

Cana tha se, gripi i shpendëve kërkon vigjilencë dhe monitorim të vazhdueshëm, pasi mbetet kërcënim serioz për shëndetin publik.

Ndërsa Beqë Hulaj, shef i sektorit të Bakteriologjisë me Parazitologji – Laboratori i Shëndetit të Kafshëve AUV, prezantoi punimin për “Patogjenët emergjentë dhe të njohur të bletëve të mjaltit përmes monitorimit pasiv në Republikën e Kosovës” duke potencuar ndikimin e tyre në sigurinë ushqimore.

“Shëndeti i bletëve është direkt i lidhur me sigurinë ushqimore, prandaj monitorimi i tyre duhet të jetë prioritet për autoritetet dhe veterinerët”, tha Beqa.

Konferenca u karakterizua nga interesimi i lartë edhe i brezit të ri të veterinerëve.

Amir Selmani, student i veterinarisë nga Maqedonia e Veriut u shpreh: “Studimet për rriqrat dhe sëmundjet zoonotike janë një shembull i qartë se sa i rëndësishëm është monitorimi për mbrojtjen e shëndetit publik.”

Ai tha se, kjo konferencë është një mundësi e shkëlqyer për studentët që të njihen me sfidat dhe risitë në mjekësinë veterinare.

Diellëza Nila, veterinere nga Kosova vlerësoi punimin mbi gripin e shpendëve.

“Gripi i shpendëve nuk është vetëm sfidë rajonale, por globale, dhe përvoja e Kosovës na mëson sa i rëndësishëm është reagimi i shpejtë.”

Nila tha se, bashkëpunimi mes vendeve shqiptare në këtë fushë është kyç për garantimin e shëndetit të kafshëve dhe të njerëzve.

Ndërsa Marsel Menalla, veteriner nga Shqipëria tha se, monitorimi i patogjenëve të bletëve është jetik për mbrojtjen e biodiversitetit dhe prodhimin e sigurt të mjaltit.

“Vetëm përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave mund të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për shëndetin publik dhe veterinar”, tha ai.

E të kënaqur shumë me organizimin, u ndanë edhe krerët e OVK-së, kryetari Hasan Limani dhe nënkryetari Fitim Ahmeti.

Ata thanë se kjo konferencë do të jetë frymëzim për OVK-në, që të bëj një event të tillë së shpejti.

Ky event shënoi një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërshqiptar në fushën e mjekësisë veterinare duke krijuar një platformë të përbashkët për avancimin e shkencës dhe shëndetit publik.

Nuk ka me shume lajme