Përfundon trajnimi i avancuar në dermatologjinë veterinare, veterinerët e mirëpritën dhe e vlerësuan

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Për dy ditë radhazi, KSAVA dhe Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK) organizuan Modulin e 3-të të Dermatologjisë Veterinare, i udhëhequr nga specialistet e njohura evropiane, Dr. Chiara Noli, DVM, Dip. ECVD, dhe Dr. Daria Denti, DVM, Dip. ECVD.

Seminari që u përmbyll sot, u fokusua në avancimin e njohurive dhe praktikave të dermatologjisë veterinare duke mbledhur një numër të madh profesionistësh nga vendi. Pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur me përmbajtjen dhe organizimin, ndërsa organizatorët paralajmëruan edhe seminare të tjera në të ardhmen.

Njëri nga pjesëmarrësit, mjeku veteriner nga Vushtrria, Armend Merovci, e vlerësoi lartë trajnimin duke theksuar rëndësinë e ekspertizës ndërkombëtare për zhvillimin e sektorit veterinar në Kosovë.

Ai tha se, ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e dobishme, sidomos për ne që përballemi çdo ditë me raste dermatologjike tek kafshët.

“Metodat dhe qasjet moderne që na prezantuan specialistet evropiane na ndihmojnë të përmirësojmë diagnostikimin dhe trajtimin. Është shumë e rëndësishme që si profesionistë të kemi mundësi të mësojmë nga ekspertë të nivelit më të lartë dhe të aplikojmë këto njohuri në praktikën tonë të përditshme,” u shpreh Merovci.

Për mjekun veteriner nga Shqipëria, Ronijet Kasi, trajnimi ishte shumë i mirë.

“Kam marr goxha informacione të vlefshme, që do më ndihmojnë me problemet dermatologjike, dhe shpresoj që të ketë seminare e trajnime dhe në të ardhmen, sepse janë shumë të nevojshme”, tha ai.

Pjesëmarrësi nga Dibra e Madhe e Maqedonisë së Veriut, Baton D. Marku, DVM, theksoi rëndësinë e trajnimeve të tilla për avancimin e shkencës veterinare dhe zhvillimin profesional.

“Kur je në praninë e doktorëve si Dr. Chiara Noli dhe Dr. Daria Denti, pak nga talenti dhe eksperienca e tyre bien mbi ty dhe të shtyjnë drejt mjeshtërisë,” shprehet ai.

Ai gjithashtu ndau disa reflektime mbi rëndësinë e arsimit dhe zhvillimit profesional: edukimi është vaksinë për rrëmujën, përçarjen dhe çoroditjen; arsimi, mësimi i vazhdueshëm dhe rritja profesionale janë dera drejt lirisë; nëse dëshiron prosperitet ekonomik, bëhu më i dobishëm.

Konferenca dëshmoi edhe një herë se investimi në dije dhe bashkëpunimi me ekspertë të huaj janë thelbësorë për përparimin e veterinarisë në Kosovë.

Në fund për seminaristët u ndanë certifikata, që u poentuan me 10 pikë.

Nuk ka me shume lajme