Seminar i veterinerëve në Kosovë: Theks në suplemente ushqyese dhe angazhimin e klientëve

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Oda e Veterinerëve e Kosovës ka organizuar seminarin e radhës profesional duke mbledhur veterinerë dhe përfaqësues të industrisë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në praktikën veterinare dhe për të forcuar bashkëpunimin në këtë sektor

Administratori i Oda e Veterinerëve e Kosovës, Mentor Barani, ka hapur punimet e seminarit të radhës të organizuar nga kjo odë, në mungesë të kryetarit që ndodhet në një vizitë zyrtare në Barcelonë të Spanjës.

Në fjalën e tij hyrëse, ai theksoi se seminari është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm për ngritjen profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e praktikës veterinare në Kosovë. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë bashkëorganizatorin, Shehdula Sh.P.K nga Shqipëria, për kontributin dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe pasurimin e tregut me produkte veterinare.

Seminari këtë herë trajtoi dy tema kyçe për praktikën veterinare: optimizimin e rezultateve të pacientëve përmes përdorimit të suplementeve ushqyese dhe psikologjinë e përmbushjes për të rritur angazhimin dhe besnikërinë e klientëve. Ligjëratat u mbajtën nga znj. Elli Kalemtzaki, eksperte në zhvillimin e biznesit në kompaninë Vet Planet.

Barani njoftoi se pjesëmarrësit do të përfitojnë edhe 3 pikë kredituese duke e bërë seminarin jo vetëm një mundësi për avancim profesional, por edhe një stimul për pjesëmarrje aktive.

“Oda e Veterinerëve e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet e palodhur në organizimin e aktiviteteve të tilla, me qëllim të fuqizimit të profesionit tonë dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve veterinare. Megjithatë, suksesi i këtyre iniciativave nuk varet vetëm nga organizimi ynë”, tha Barani.

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë angazhim nga komuniteti i veterinerëve duke theksuar se deri më tani janë pranuar pak propozime nga kolegët për tema dhe aktivitete të ardhshme.

“Prandaj, ju inkurajoj fuqishëm që të ndani idetë tuaja, temat që i konsideroni të rëndësishme, sfidat me të cilat përballeni në praktikë, si dhe çdo sugjerim që mund të ndihmojë në përmirësimin e aktiviteteve tona të përbashkëta”, tha ai.

Sipas tij, vetëm përmes bashkëpunimit të hapur dhe komunikimit të sinqertë mund të forcohet profesioni dhe të rritet cilësia e shërbimeve veterinare në vend.

Në përmbyllje, ai falënderoi pjesëmarrësit dhe u uroi një seminar të suksesshëm dhe produktiv.

Dardan Shehdula: Synojmë të ofrojmë produkte cilësore dhe mbështetje për veterinerët në Kosovë

Përfaqësuesi i kompanisë “Shedula SH.P.K.”, Dardan Shehdula, ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin e kahershëm të kompanisë për të qenë pjesë e tregut veterinar në Kosovë duke theksuar se fokusi kryesor mbetet mbështetja për mjekët veterinarë dhe klinikat veterinare.

Ai bëri të ditur se kompania që përfaqëson është e përkushtuar në ofrimin e produkteve dhe zgjidhjeve bashkëkohore për praktikën veterinare duke shtuar se besimi i tyre qëndron tek roli kyç i mjekëve veterinarë në kujdesin ndaj kafshëve shoqëruese.

Shehdula theksoi se bashkëpunimi me kompaninë “Vet Planet” ka nisur para dy vitesh dhe është dëshmuar si një përvojë shumë pozitive. Sipas tij, produktet e kësaj kompanie kanë gjetur përdorim të gjerë në praktikën e përditshme veterinare duke ndikuar në përmirësimin e shërbimeve dhe trajtimeve.

Ai vlerësoi gjithashtu se tregu në Kosovë tashmë është mjaft i zhvilluar dhe i gatshëm për produkte cilësore duke shtuar se këto produkte pëlqehen edhe nga vetë pronarët e kafshëve shoqëruese, të cilët gjithnjë e më shumë investojnë emocionalisht dhe financiarisht në kujdesin ndaj tyre.

“Pronarët e kafshëve i trajtojnë ato si pjesë të familjes, madje si fëmijë, prandaj është shumë e rëndësishme që edhe ne të ofrojmë shërbime dhe produkte në nivelin e duhur”, u shpreh ai.

Në fund, Shehdula theksoi se kompania ka një eksperiencë mbi tri dekada në Shqipëri duke filluar aktivitetin që nga viti 1995, dhe shprehu shpresën për një bashkëpunim sa më të gjerë, konstruktiv dhe afatgjatë me profesionistët e fushës në Kosovë, në funksion të avancimit të praktikave veterinare.

Shehu: Seminaret veterinare po rrisin nivelin e shërbimeve dhe njohurive në Kosovë

Veterineri Arben Shehu ka vlerësuar rëndësinë e seminareve profesionale që po organizohen për komunitetin veterinar në Kosovë duke theksuar se ato po kontribuojnë drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve të shërbimeve dhe përditësimin e njohurive në këtë fushë.

Sipas tij, ideja e organizimit të këtyre seminareve është gjithnjë e më e rëndësishme duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të numrit të kafshëve të vogla dhe nevojën për shërbime profesionale dhe të specializuara për to.

Shehu theksoi se mjekët veterinarë mbajnë një përgjegjësi të dyfishtë, pasi përveç kujdesit për shëndetin e kafshëve, ata kontribuojnë edhe në mbrojtjen e shëndetit publik duke parandaluar sëmundjet që mund të transmetohen nga kafshët te njerëzit.

“Ne veterinerët kemi një përgjegjësi të madhe, jo vetëm për shëndetin e kafshëve, por edhe për shëndetin publik duke parandaluar sëmundjet që mund të transmetohen nga kafshët te njerëzit”, u shpreh ai.

Ai shtoi se seminare të tilla, si ai i organizuar së fundmi, ofrojnë njohuri të reja në nivel evropian dhe ndihmojnë profesionistët të përmirësojnë praktikat e tyre në trajtim, mjekim dhe parandalim të sëmundjeve tek kafshët e vogla dhe shoqëruese.

Në përmbyllje, Shehu theksoi se vazhdimi i këtyre aktiviteteve është thelbësor për avancimin e profesionit veterinar dhe për garantimin e shërbimeve më cilësore në Kosovë.

Në fund, nënkryetari i OVK-së, Fitim Ahmeti ndau certifikatat për pjesëmarrësit.