Me motivacionin “Për përkushtim të veçantë në shërbimin veterinar të Republikës – profesionist i shquar në mbrojtje të kafshëve, shëndetit publik dhe mjedisit”, kryetari i Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK), DMV. Hasan Limani, ka ndarë çmimin për kontribut të shquar për DMV. Qerim Pepshin. Po ashtu ai i ndau mirënjohje dhe pin me logon e OVK-së.
Gjatë ceremonisë, Limani theksoi se ky vlerësim vjen si rezultat i një iniciative të vetë komunitetit profesional duke reflektuar respektin dhe mirënjohjen e kolegëve për një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në veterinarinë e Kosovës. Ai shtoi se OVK-ja do të vazhdojë të promovojë dhe nderojë profesionistët që kanë kontribuar ndër vite në forcimin e shërbimit veterinar dhe në mbrojtjen e shëndetit publik.
“Ky çmim dhe kjo mirënjohje, si dhe ato që do të ndajmë në të ardhmen, janë rezultat i kërkesave të kolegëve tanë që duan të vlerësohen kontributet e atyre që kanë ndërtuar themelet e profesionit tonë”, u shpreh Limani duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë profesionale dhe frymëzimit të gjeneratave të reja.
Pepshi: Ky vlerësim mbyll me nder kapitullin tim jetësor
I emocionuar, DMV. Qerim Pepshi, i cili aktualisht po kalon pensionimin pranë familjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh se ky është një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij.
“Pas rritjes së djalit dhe diplomimit tim, kjo është ngjarja më e rëndësishme për mua. Me këtë po plotësohet dhe vlerësohet i tërë kapitulli im jetësor”, tha ai.
Ai tha se punën e ka pas obligim dhe e ka kryer me nder.
Kontributi i tij është vlerësuar edhe nga shumë kolegë dhe ish-nxënës.
Nagavci: Nga Dr. Pepshi mësuam profesionin dhe jetën në terren
DMV. Faton Nagavci kujtoi kohën kur, si veteriner i ri në vitin 1996, kreu praktikën në Stacionin e Veterinës në Deçan nën udhëheqjen e DMV. Pepshit.
“Përveç pritjes shumë të mirë, doktori Qerim na ka ofruar këshilla të vlefshme jo vetëm për aspektet profesionale, por edhe për ato praktike të punës në terren. Nga ai kemi mësuar si të komunikojmë me fermerët, si të fitojmë besimin e tyre dhe si t’i përballojmë sfidat e profesionit me përkushtim dhe durim”, tha Nagavci.
Ai tha se doktori Qerim ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimit të veterinarisë, sidomos përmes mbështetjes së veterinerëve të rinj. Përveç meje, edhe disa veterinerë të tjerë të rinj kanë kryer praktikën në Deçan duke përfituar nga përvoja dhe përkushtimi i tij.
“Mësimet që kam marrë gjatë asaj periudhe më kanë shërbyer jo vetëm në profesionin tim, por edhe në punë dhe angazhime që nuk kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me veterinë. Janë këto përvoja dhe mësime që mbesin gjatë dhe ndikojnë në formimin tonë si profesionistë. Mirënjohës për atë periudhë dhe për njerëzit që lanë gjurmë në rrugëtimin tim profesional,” përfundoi Nagavci.

Gashi: Kontributi i Dr. Pepshit vendimtar për zhvillimin e kuadrove veterinare
Edhe DMV. Istref Gashi, ish-nxënës i tij, e cilësoi profesor Pepshin si njeri që ka lënë gjurmë të thella në gjithë jetën tonë veterinare me punën e tij dhe kjo e vendos atë në një pozicion të jashtëzakonshëm në historinë e mjekësisë sonë veterinare.
“Në kohën kur komunat tona ishin të angazhuara në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, kuadrot veterinere ishin të pakta. Ato i hapën drejtimet e veterinarisë, por nuk kishin kuadro të mjaftueshme. Mirëpo profesor Qerimi nuk ngurroi që nga Deçani të vijë në Skënderaj dhe një ditë më vonë në Istog, vetëm e vetëm që këto shkolla të kenë sukses”, tha Gashi.
Ai tha se kjo ishte për të një sakrificë sublime, pasi që siç dihet ai ka pasur punë të mjaftueshme në vendlindjen e tij.
“Respekt tërë jetën!,” përfundoi Gashi.
DMV. Qerim Pepshi konsiderohet si një nga profesionistët që jo vetëm kontribuoi në zhvillimin e shërbimit veteriner, por edhe në formimin e shumë brezave të rinj duke lënë një trashëgimi të vlefshme për sektorin dhe shoqërinë në përgjithësi.










