TIKA, së bashku me OVK-në, organizon seminar për veterinerët e Kosovës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email
Printo
Për pesë ditë është paraparë trajtimi i disa temave në fushën e veterinarisë. Pjesëmarrës në hapjen e punimeve të seminarit qenë edhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë Çağrı Sakar, si dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR). Për organizimin e këtij seminari janë përkujdesur organizata turke TIKA dhe Oda e Veterinerëve të Kosovës (OVK)

Seminarin e moderoi Ali KURT, i cili pas hapjes së programit ua dha fjalën të pranishmëve të cilët e lavdëruan këtë projekt.

“Qëkur kemi filluar me aktivitetet nga viti 2004 e deri më sot, i kemi realizuar mbi 300 projekte. Gjatë gjithë kohës nuk na kanë munguar përkrahjet dhe këshillat e ekspertëve, duke filluar nga realizimi i planeve në Mamushë, Prizren e deri në Prishtinë. Në sektorin e mjekësisë i kemi bërë 60 projekte… kryesisht kemi realizuar projekte të cilat kanë qenë shumë të nevojshme”, tha Dr. Mahmut Çevik – Shef i Departamentit të TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, duke shtuar se “tash jemi duke realizuar programin e shkëmbimit të përvojave online”.

Ai e falënderoi Ambasadën e Turqisë në Kosovë, MBPZhR-në si dhe “partnerët kryesor të këtij projekti është TIKA dhe Oda e Veterinerëve të Kosovës”.

Ai përmendi disa projekte, ndër të tjera edhe disa për bletari dhe blegtori, të cilat tha se i kanë realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, përkatësisht Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Bashkë me këta partnerë, duke i përfshirë edhe odat veterinere nga Kosova e Turqia, ai premtoi realizimin e projekteve të tjera të radhës.

Dr. Cevdet YARALI, Drejtori i Institutit Hulumtues të Qendrës së Kontrollit, ndërkaq, e lavdëroi këtë iniciativë, ku ndër të tjera kërkoi që të vijojë ky partneritet.

Më pas Dr. Engin ÜNAY, Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Hulumtimit dhe Trajnimit të Blegtorisë, dha një historik të shkurtër të institucionit që drejton:

“Instituti LALAHAN është formuar në vitin 1931. Qëllimi ynë është që t’i vazhdojmë programet gjenetike për dhinë vendore. Në vitin 1951 kemi kaluar edhe në sektorë të tjera të blegtorisë. Kemi vijuar me teknikat e shumimit të kafshëve, në kuadër të hulumtimeve gjenetike. Tash duke i përcjellë të rejat e kësaj fushe, po përpiqemi të jemi në hap me të arriturat shkencore botërore.”

Ai shpjegoi për teknikat e tjera të cilat janë duke i jetësuar, duke theksuar se në “bankën e gjeneve” posedojnë sperma dhe gjene të llojeve të cilat i kanë studiuar.

“Deri tash me TIKA-n i kemi realizuar mbi 116 projekte dhe po ashtu jemi gati të kontribuojmë për shumë projekte, bashkë me kolegët nga Kosova.”

 

Pas tij fjalën e mori Arben Sinani, Kryetar i Odës Veterinare të Kosovës.

“Oda veterinare e Kosovës është themeluar në vitin 2000. Qëllimi i saj është që të mbrojë dhe përfaqësojë interesat e veterinerëve praktik” – vuri në dukje Sinani.

“Ne duke e ditur shtetin e Turqisë që ka ekspertë të kësaj fushe, kemi menduar që të bëjmë një lidhje me ta dhe këtë e kemi realizuar nëpërmjet TIKA-s në Prishtinë. Në gusht të vitit 2019, unë kam kërkuar përkrahje nga përfaqësuesi i TIKA-s z. Luan Tiriqi, i cili më ka mirëpritur dhe më ka ofruar bashkëpunim.”

Sinani tregoi se si pas kësaj lidhjeje të krijuar, Turqia, përkatësisht institucionet relevante të kësaj fushe, janë treguar të gatshme për bashkëpunim dhe ofrim të përvojave dhe ndihmës së tyre.

Sinani tregoi se pandemia COVID-19, i ka ndryshuar rregullat, por nuk u rezervua në falënderimin e miqve turq, të cilët janë treguar të gatshëm për bashkëpunim:

“Unë shpresoj që bashkëpunimi ynë të jetë i pakufishëm!”

Ali EROĞLU, President i Këshillit Qendror të Shoqatës së Mjekësisë Veterinare Turke, e mori fjalën pas tij:

“Dua të ia filloj fjalimin me fjalët e Kryetarit të Odës Veterinere të Kosovës “që ky bashkëpunim të jetë i pakufishëm” – tha ai.

“Instituti ynë është themeluar në vitin 1954. Aktualisht jemi duke punuar në 56 shtete të Turqisë. Oda Veterinare e Turqisë është një institucion i cili i përcjell veprimtaritë e veterinerëve të Turqisë, si dhe hartimin e programeve në këtë fushë. Gjithashtu asociacioni i jonë i veterinarëve është i anëtarësuar në asociacione të tjera ndërkombëtare dhe njëkohësisht kryen hulumtime në bashkëpunim me këto institucione. COVID-19 e ka treguar rëndësinë e modelimit të drejtimit të këtij institucioni, në rrethana të tilla specifike. Aktualisht, për shkak të pandemisë, në krye të hulumtimeve shkencore janë veterinarët. Prandaj, veterinarët janë të angazhuar në mbrojtje të shëndetit të kafshëve, në mbrojtje të shëndetit të njeriut si dhe në mbrojtje të ambientit. Sikurse parafolësit e mi, dua të theksoj se ky trajnim është shumë i rëndësishëm si për blegtorinë në Kosovë, por edhe për ne në Turqi. Sidomos projektet janë duke u realizuar në blegtori, janë të rëndësishme edhe në aspektin ekonomik. Projektet e TIKA-s janë me vlerë, kudo që janë duke u implementuar në Ballkan ose në vendet e tjera.”

Në fund, ai e falënderoi ambasadorin Sakar si dhe MBPZhR-në, për mbështetjen që ia ka ofruar TIKA-s në aktivitetet e saj të realizuar deri më tani, përkatësisht realizimit të projektit në fjalë. Tha, po ashtu, se si odë e veterinerëve, i përcjellin aktivitetet e kësaj organizate.

“Unë e ndjejë kënaqësinë të jem dëshmitar i realizimit të një aktiviteti tjetër nga TIKA. Kjo organizatë që nga e kaluara, ka realizuar projekte në mbështetje të blegtorëve të Kosovës. Kjo pandemi na ka treguar se siguria e ushqimit, është një çështje me shumë rëndësi. Kosova është një ndër shtetet e cila i jep rëndësi kësaj çështjeje: sigurimit të ushqimit” – tha Ambasadori Çağrı Sakar, në fjalën e tij të rastit.

Ai falënderoi pjesëmarrësit dhe tha që “shpresoj që ky trajnim të jetë i dobishëm për pjesëmarrësit, ndërsa ne si ambasadë do të jemi në krah të këtyre projekteve!”

Ai uroi që pas pandemisë, të realizohen edhe vizita nga të dyja palët.

Nehat Ramadani, përfaqësues nga MBBZhR, lavdëroi këtë iniciativë, duke e cilësuar si shumë të dobishme për vendin.

“E çmojmë jashtëzakonisht shumë angazhimin e TIKA-s në Kosovë, në fushën e bujqësisë dhe fushat e tjera! E kam biseduar edhe me ambasadorin Sakar, dhe jam ndier i mahnitur me hapat të cilat i ka ndërmarr Republika e Turqisë, si masa preventive në kuadër të pandemisë. Megjithatë pas vizitës në Stamboll, kam kuptuar se e gjithë kjo të bëjë me një punë të vërtetë studimore”. Ai shprehu dëshirën që në një të ardhme të afërt t’i shohin nga afër të gjitha këto punë që i kanë bërë institucionet turke në këtë drejtim.

“Unë pash se në fushën e blegtorisë, ka pjesëmarrës ekspertë të lartë” – dhe kjo do të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes së punës, në kuadër të ngritjen e cilësisë që nga prodhimi e deri te ekspozimi në treg i artikujve bujqësor.

Në kuadër të këtij programi, ofrohen trajnime disa ditore për veterinerët e Kosovës. Pjesëmarrësit e cilësuan si një aktivitet me rëndësi, ndërsa pjesëmarrësit nga Kosova u zotuan që këto mësime t’i jetësojnë, duke i vlerësuar si të çmuara për veterinerët, bujqit dhe blegtorët e Kosovës.