Në kuadër të pyetjeve parlamentare, deputetja nga PDK, Ganimete Musliu, tha se në tërë botën veç Kosovës, profesioni i veterinarisë është i rregulluar me ligj të veçantë.
“Në Kosovë ordinancat e tyre licencohen nga AUV, por ata vetë janë të palicencuar në mungesë ligji për Oda e Veterinerëve e Kosovës e cila do duhej t’i licenconte të gjithë veterinerët. Oda e Veterinerëve e Kosovës është organizatë e pavarur dhe profesionale e cila mbron, përfaqëson dhe promovon interesat e veterinerëve”, tha Musliu.
Por duke pas parasysh se ata janë direkt të lidhur në mbrojtjen e shëndetit publik, duke kontrolluar çdo gjë që hamë dhe përmes parandalimit të sëmundjeve që barten nga kafshët tek njeriu, ajo pyeti ministrin se kur do e sjellin në Kuvend Ligjin për Oden e Veterinerëve të Kosovës?
Ministri Peci premtoi se në kuadër të planit legjislativ të vitit të ardhshëm do të trajtojmë edhe çështjen e Oda e Veterinareve.
“Për herë të parë ka marrë këtë pyetje nga data 19.10.2022, dhe siç jeni ne dijeni Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dy muaj që është pjesë e përgjegjësisë së ministrisë së bujqësisë dhe ne jemi në proces të dëgjimeve publike për sa i përket koncept dokumentit për veterinën. Në momentin e përfundimit të koncept dokumentit në kuadër të planit legjislativ të vitit të ardhshëm do të trajtojmë edhe çështjen e Oda e Veterinareve”, tha Peci.
Ndërsa deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se shpreson që ministri do ta mbajë këtë premtim.
“Uroj qe ky premtim i dhëne të mbahet sepse edhe me herët është thënë se në vitin 2023 do të jetë në agjendë legjislative. Por unë do tu mbajë për fjalë z. Ministër që në vitin 2024 ta kemi këtë projektligj në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.
Duhet rikujtuar se, OVK është oda e parë e themeluar në Kosovën e pasluftës, por e vetmja pa ligj.