Kreu i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu dhe Kryetari i Oda e Veterinerëve e Kosovës Xhevdet Krasniqi, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronar, me qëllim që OVK-së, t’i hapet rrugë për procedurat për furnizim me mikroçipa dhe pasaporta për qentë me pronar, sipas formës që zgjedh OVK-ja për sigurim të tyre.
Sipas marrëveshjes subjektet veterinare private do të kenë mundësi të furnizohen përmes OVK-së me këto materiale që të mundësohet tutje ofrimi i shërbimit të Identifikimit dhe Regjistrimit të qenve me pronar.
Kreu i AUV-së, Flamur Kadriu, tha se përmes kësaj marrëveshjeje lehtësohet furnizimi me mikropçipa dhe pasaporta, ku mund të pajisen të gjithë veterinerët e licencuar.
Kryetari i OVK-së, Xhevdet Krasniqi, u shpreh tejet i kënaqur me këtë nënshkrim.
“Nga ky Memorandum Bashkëpunimi, që u bë në ditën ndërkombëtare të qenve endacak, mund të furnizohen të gjithë veterinerët që kanë klinika të licencuara dhe që janë anëtar të OVK-së”, tha Krasniqi.
AUV-ja merr obligim që OVK-së t’ia ofron formën zyrtare të pasaportës së qenve, specifikacionin e mikroçipave të kafshëve shoqëruese sipas standardeve ISO dhe numrin serik kombëtar të tyre.
OVK-ja obligohet që në mënyrë të vazhdueshme, të mbajë shënime të dhëna për çdo prodhim të mikroçipave dhe pasaportave.
Po ashtu OVK-ja obligohet që pas çdo ngarkese me pasaporta dhe mikroçipa të subjekteve veterinare të licencuara, në mënyrë të vazhdueshme të raportojë tek AUV-ja.