Video/Në Ditën e Veterinarisë vihet theksi te mungesa e Ligjit për Odën e Veterinarisë së Kosovës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email
Printo

Sot, në Ditën Botërore të Veterinarisë në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës ishte i ftuar Dr. sc. Arsim Ademi, mjek veterinar, Nënkryetar i Odës së Veterinerëve të Kosovës.

Dr. Ademi fillimisht foli rreth historikut të caktimit të kësaj dite, duke thënë se: “E shtuna e prillit të çdo viti është caktuar si dita Botërore e Veterinarisë nga Asociacioni Botëror i Veterinarisë” dhe kjo gjë sipas tij ka ndodhur që nga 2001.

I pyetur rreth shqetësimeve që shpërthyen në rrjetet sociale, pas publikimit të lajmit se dy mace në New York, u raportua se janë infektuar me koronavirus, ai tha që:

“Janë identifikuar dy mace që kanë dalë pozitive me Covid-19, ne nuk e dimë cilat janë pasojat dhe nëse ato janë në gjendje ta ritransmetojnë infeksionin tek njerëzit.” Sipas tij, “kjo gjë ende nuk është provuar”, në kuptimin, e indikacioneve, apo dëshmive që kafshët shoqëruese mund ta bartin sëmundjen tek njerëzit. Nuk kemi pse të alarmohemi, por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi kujdes.

Dr. Ademi foli edhe për pozitën në të cilën ndodhen fermerët, aktualisht. Sipas tij ata, në përgjithësi nuk kanë vështirësi, me përjashtim të fermerëve të vegjël. Ndërsa për sa u përket spekulimeve se nëse janë shfaqur tendenca për t’i sulmuar apo vrarë kafshët, për shkak të frikës së përhapjes më të madhe të pandemisë, ai i mohoi ato. Sipas tij, deri më tani nuk ka dëgjuar për veprime të tilla, ndonëse shoqëria jonë nuk është mjaft e emancipuar në kuptimin e trajtimit të kafshëve në përgjithësi.

Por shqetësimi kryesor i veterinerëve të Kosovës, sipas tij, ndërlidhet me faktin se mungon ligji për Odën e Veterinerëve.

“Puna e odës është pak në gjendje jo të mirë, kështu ka qenë dhe kështu është. E vërteta është se profesioni veteriner është paksa i nënçmuar nga qeveria” dhe institucionet e tjera, tha ai. Edhe në situatën rreth Covid-19, shumë pak janë konsultuar dhe kontaktuar veterinerët… Një gjë që na shqetëson është edhe mosekzistimi i ligjit për Odën Veterinare, i cili do t’i sqaronte dhe do t’i rregullonte disa punë rreth aktiviteteve të odës. Oda Veterinare, është e njohur me ligj si Odë Veterinare por nuk është i specifikuar saktësisht roli i odës në këtë rrafsh” – u shpreh ndër të tjera ai.

Është bërë pak punë në këtë drejtim, një draft i një ligji ndodhet diku në sirtarët e Ministrisë së Bujqësisë, por nuk është finalizuar asgjë.