Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK) ka organizuar një takim rajonal me institucionet homologe nga rajoni me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe thellimit të bashkëpunimit. Në këtë takim morën pjesë udhëheqës të veterinerëve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Xhevdet Krasniqi, kryetar i Oda e Veterinerëve e Kosovës, ka falënderuar prezencën e odave të Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut.
“Ne si institucion jemi të interesuar të thellojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e veterinarisë me të gjitha vendet e rajonit. Dhe vetë pjesëmarrja e juaj shënon një hap pozitiv për OVK e cila është e interesuar të zhvillojë një bashkëpunim të frytshëm me institucionet simotra”, tha ai duke falënderuar për pjesëmarrjen e tyre.
Ymer Elezi, kryetar i Urdhrit të Mjekut Veterinar Shqiptar këtë takim e quajti një përvojë dhe eksperiencë shumë e vyer dhe shumë e domosdoshme që duhet të shtrihet edhe në Shqipëri.
“Unë ju përgëzoj shumë për këtë ide që keni dhe që po bëni aktualisht dhe uroj shëndet, punë të mbarë në familje dhe kudo që jeni. Unë i falënderoj zotërinjtë kolegë të Malit të Zi, të cilët janë pjesëmarrës në kë event dhe shpreh kënaqësinë e urdhrit të mjekut veterinar shqiptar që neve siç kemi vepruar sot duhet ta forcojmë bashkëpunimin midis shteteve pjesëmarrëse, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëri. Ne na bashkon profesioni, na bashkon dashuria për profesionin, por mjekët veterinarë shquhen edhe për mirëkuptime dhe dashamirësi”, tha ai duke falënderuar nikoqirin e këtij takimi.
Kreu i veterinerëve nga Mali i ZI, Ranko Savic, në shenjë falënderimi për këtë organizim, u ndal te sfidat e profesionit të veterinarisë, duke theksuar se ky profesion është pak i respektueshëm sa e meriton në shoqëri.
“Ky profesion që merret me kafshë duhet të trajtohet në nivel më të lartë në shoqëri. Edhe pse në raport me punën, ky profesion nuk është aq i leverdishëm duhet të luftojmë e të shoqërohemi dhe të kemi sukses”, tha ai.
Ndërsa përfaqësuesi i odës maqedonase, Haris Miftari, i entuziazmuar, falënderoi OVK-në për mikpritje.
“Jemi mirënjohës për këtë takim shumë të rëndësishëm i cili po hap horizonte të reja nga praktikat e vendeve pjesëmarrëse. Besojmë se ky takim do të jetë fillimi i bashkëpunimit më të madh ndërmjet vendeve tona e që është mjaft i rëndësishëm”, tha Miftari.
Në fund të fjalimeve përshëndetëse, kryetari i OVK-së u ndau nga një dhuratë, “Hyjnesha n’fron”, për mysafirët. Edhe kryetari i veterinerëve malazez ndau dhuratë për OVK-në.
OVK me këtë rast falënderon edhe sponsorët: “Monuni ShPK”, “Hasvet Medikal”, “Birra e Pejës” dhe qumështoren “Vita”.