Oda e Veterinerëve e Kosovës së bashku me kompaninë “Hasvet”, kanë organizuar seminarin për veterinerët e terrenit mbi kirurgjinë ortopedike veterinere. Sipas agjendës ditën e parë është mësimi teorik, ndërsa në të dytën ai praktik. Ligjërues të këtij seminari janë dy emra të njohur nga Turqia, Prof. dr. Sinan Ulusan dhe DMV. Burcu Ezgi Eregar. Në këtë seminar po marrin pjesë mbi 50 veterinerë.
Pas një minutë heshtjeje për viktimat e tërmetit në Turqi, në fjalimin hyrës, kryetari i OVK Xhevdet Krasniqi, pasi përshëndeti pjesëmarrësit, tha se ky seminar, është seminari i radhës në vazhdën e shumë seminareve që OVK ka organizuar sivjet.
Me këtë rast ai ka shprehur falënderim të veçantë për profesorët turq Sinan Ulusan dhe Burci Ezgi Eregar, si dhe sponsorët “Hasvet”, “Monuni” dhe “Jonatan”.
“Shpresoj që sikurse në seminaret e tjera edhe në këtë të tashmin do të mësojmë nga përvojat e jashtme. Ne s’do të prajmë së reshturi për të organizuar seminare, por edhe propozimet e juaja sikurse deri më tani do të jenë të mirëseardhura, sepse askush më mirë se sa ju, nuk e di se ku keni nevojë për mësime shtesë”, tha Krasniqi.
Ndërkaq Prof. dr. Sinan Ulusan, falënderoi pjesëmarrësit për respektin që treguan për viktimat e tërmetit duke treguar se ai vetë ka humbur disa anëtarë të familjes në këtë tragjedi natyrore, duke shfaqur shpresën që kurrë më të mos ketë kësi lloj tragjedie, jo vetëm për vendin e tij, por për asnjë vend tjetër.
Në diskutimin e tij për ortopedinë veterinere, tha se ajo është e lidhur me radiologjinë dhe si të tilla janë të kombinuara së bashku.
“Për këtë unë do të doja që të ndaj me ju të gjithë njohurinë time ortopedike, sepse unë jo vetëm që jam doktor, mirëpo unë i them vetës që jam ortoped. Unë kam një qen dhe dy mace në shtëpi. Kur kam ndonjë vaksinim, apo diçka unë i dërgoj atje për t’u vaksinuar dhe i dërgoj te veterineri ynë dhe ai i injekton, sepse unë nuk mund t’i duroj duke parë traumën që kalojnë kafshët e mija për vaksinim. Unë paguaj dhe largohem, nuk jam më doktor veteriner, vetëm kujdesëm për pacientët e mi në formën ortopedike. Për këtë arsye ne sot do të diskutojmë vetëm për probleme ortopedike”, tha ai.
Pjesë e këtij seminari janë edhe veterinerë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Rami Selmani, zëvendëskryetar i Dhomës Veterinere të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka falënderuar OVK-në për ftesën.
“Një ndër seminaret që është shumë i dobishëm për veterinerët. Do të mësojmë diçka risi dhe do t’i praktikojmë”, tha Selmani.
Ai tha se, njohuritë e marra do t’i prezantojmë tek kolegët tanë në Maqedoni.
Në fund të seminarit, u ndan certifikata për pjesëmarrësit.
Sponsor të këtij seminari janë: “Hasvet”, “Jonatan” dhe “Monuni”.