Menaxhimi i riprodhimit të lopëve në ferma qumështore – Aplikimi i protokolleve hormonale për luftimin e subfertilitetit, ishte trajnimi i radhës për veterinerët e terrenit organizuar nga Oda e Veterinerëve e Kosovës së bashku me Landwirt.com INT.
Për ligjëruesin e kësaj teme, profesorin universitar, Behlul Behluli, ky seminar, ishte një seminar shumë praktik mbi menaxhimin e riprodhimit të lopëve qumështore.
“Pjesa teorike e ndërlidhur shumë mirë me pjesën praktike të bërë gjatë vizitës në fermë”, tha profesor Behluli.
Ai tha se, zbatimi i praktikave më të mira, janë mënyra më e mirë për të korr sukses.
Faruk Beqa nga Landwirt.com INT, tha se temat siç është kjo që e kemi trajtuar sot, është e një rëndësie të veçantë për fermat e prodhimit të qumështit tek ne në Kosovë dhe thënë thjesht, është çelësi i suksesit.
“Dështimet në mbarsim të lopëve paraqet problemin më të madh tek fermerët prodhues të qumështit. Nëse kjo nuk menaxhohet siç duhet, fermat nuk mund të afarojnë pozitivisht edhe mund të vije deri te falimentimi i tyre”, tha Beqa.
Sipas tij, roli i veterinerëve të terrenit është i pazëvendësueshëm në këtë drejtim.
“Njëri nga faktorët për paraqitjen e dështimeve në mbarsim në fermat këtu tek ne në Kosovë, del të jetë ushqyerja jo e balancuar, andaj në këtë aspekt mbetet që veterinerët e terrenit të bashkëpunojnë më ngushtë me fermerët për të përmirësuar këta parametra”, tha Beqa.
E për veterinerin e terrenit, Albatrit Halili, shumë gjëra nga ky seminar dolën të jenë risi për te.
“Nga ky seminar mësova shumë gjëra të reja, të cilat edhe do t’i praktikoj gjatë punës sime në terren”, tha Halili.
Në fund, kryetari i OVK-së, Arben Sinani, duke falënderuar profesor Behlulin për një ligjërim shumë përmbajtësor, landwirtin për mbështetje dhe veterinerët e terrenit për interesimin, premtoi seminare të tilla me interes, në vazhdimësi.