Procesi i aplikimit për subvencione, takim informues dhe koordinues në mes të OVK-së, MBPZhR-së dhe AUV-së

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Ministri i MBPZhR-së, Faton Peci, përfaqësues të OVK-së të kryesuar nga kryetari Dr. Arsim Ademi dhe Drejtori Ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, kanë mbajtur një takim të përbashkët informues dhe koordinues lidhur me ecurinë e përgatitjeve për aplikim të subjekteve veterinare për subvencione bazuar në Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) – Nr. 11/2024 për pagesa direke në bujqësi për vitin 2024.

Në këtë takim institucionet përgjegjëse theksuan se po punohet intensivisht për kontraktimin sa më të shpejtë të subjekteve veterinare në ato komuna ku kjo nuk është bërë akoma, si dhe në procesin e kontraktimit të kompanive për furnizimin e subjekteve veterinare me matrikujt e ri. Kjo në mënyrë që t’i hapet rrugë veterinerëve për lëshimin e vërtetimeve dhe të regjistrave të kafshëve në sistemin unik të AUV-së, si dhe aplikimit të fermerëve në programin për Pagesa Direkte /Subvencione për vitin 2024.

Gjithashtu në takim u ritheksua edhe njëherë që duhet që të ndërpritet përkohësisht matrikulimi, rimatrikulimi dhe lëshimi i vërtetimeve deri në njoftimin e radhës dhe se njëkohësisht matrikujt e vjetër të mbetur në stoqe tek subjektet veterinare duhet t’i kthehen AUV-së.

Për më tepër edhe ministri Peci i siguroi përfaqësuesit e OVK-së se do të ketë shtyrje të afatit për aplikim të fermerëve në programin për Pagesa Direkte / Subvencione në bujqësi për vitin 2024 sado që të jetë e nevojshme, në mënyrë që asnjë fermer të mos mbetet pa aplikuar për shkak të mungesës së matrikujve dhe vërtetimeve nga subjektet veterinare.