Marrëveshja plotësohet me aneks të ri, emërohet Gloria Hylviu Drejtoreshë për Marrëdhënie me Jashtë në OVK, shpallen Anëtarë Nderi të gjithë anëtarët e këshillit të UPMVSh-së dhe unifikohen standardet profesionale
Oda e Veterinerëve e Kosovës dhe Urdhri Profesionist i Mjekut Veterinar të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Maqedonia e Veriut, kanë zhvilluar në Prizren mbledhjen e përbashkët vjetore, e cila u kurorëzua me nënshkrimin e të gjitha vendimeve dhe pikave të diskutuara duke shënuar një fazë të re dhe të konsoliduar të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve.
Kryetari i Oda e Veterinarëve e Kosovës (OVK), DMV. Hasan Limani, u dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe falënderoi presidentin e Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH), z. Ervin Resuli, nënkryetarin Shemsho Lamaj, anëtarët e këshillit si dhe përfaqësuesit e institucioneve përkatëse.
Ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve duke theksuar se marrëveshja e nisur më 28 nëntor 2023 në Vlorë tashmë po konkretizohet me vendime të nënshkruara dhe me mekanizma të qartë zbatimi.
Nga ana e tij, presidenti i UPMVSH-së, DMV. Ervin Resuli, shprehu kënaqësinë dhe nderin e veçantë për këtë takim të përbashkët duke e cilësuar atë si vazhdimësi dhe pasurim të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar në Vlorë në nëntor të vitit 2023.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy dhomave synon trajtim të barabartë, plotësim reciprok dhe ndërtimin e një hapësire të përbashkët profesionale shqiptare në fushën e mjekësisë veterinare.
Vendime të nënshkruara dhe hapa konkretë
Në kuadër të mbledhjes së përbashkët, palët nënshkruan të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë rishikimin dhe plotësimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit, krijimin e strukturave të përbashkëta profesionale dhe sociale, organizimin e kongreseve të përbashkëta periodike, si dhe delegimin e funksioneve për akreditimin e trajnimeve profesionale dhe njohjen e ndërsjellë të krediteve dhe certifikatave.
DMV. Gloria Hylviu emërohet Drejtoreshë për Marrëdhënie me Jashtë e OVK-së
Një nga vendimet e rëndësishme të nënshkruara ishte emërimi zyrtar i DMV. Gloria Hylviu Drejtoreshë për Marrëdhënie me Jashtë në Oda e Veterinare e Kosovës, me mandat të qartë për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, në kuadër të forcimit të rolit rajonal dhe europian të OVK-së.
Shpallen Anëtarë Nderi anëtarët e këshillit të UPMVSH-së
Në shenjë vlerësimi dhe respekti institucional, të gjithë anëtarët e Këshillit të UPMVSH-së u shpallën Anëtarë Nderi të Oda e Veterinare eë Kosovës, vendim i cili u formalizua dhe u nënshkrua gjatë mbledhjes duke u përfshirë në aktet zyrtare të OVK-së.
Binjakëzim institucional dhe unifikim standardesh
Gjatë takimit u nënshkrua edhe vendimi për binjakëzimin institucional mes OVK-së dhe UPMVSH-së duke përafruar statutet, rregulloret dhe funksionet bazë të dy institucioneve sipas modeleve më të mira europiane. Po ashtu, u vendos që Kodi i Etikës i UPMVSH-së të zbatohet edhe si bazë për Kodin e Etikës së OVK-së, me mekanizma të përbashkët për mbikëqyrje etike dhe disiplinore.
Takimi u përmbyll me nënshkrimin e Aneksit/Protokollit Shtesë të Marrëveshjes së Vlorës duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për zhvillimin, unifikimin dhe avancimin e profesionit veterinar në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë në hapësirën shqiptare.



























