Veterinerët e Llapit kanë shprehur pakënaqësi me buxhetin e ndarë për ta nga ana e Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Kjo u bë e ditur pas një takimit të Oda e Veterinerëve e Kosovës me veterinerët e Llapit në kuadër të takimeve nëpër komuna.
Megjithëse veterinerët e Llapit janë shembull për bashkëpunim, problem sipas nënkryetarit, Hasan Limani, mbetet puna e veterinerëve dhe teknikëve që po punojnë në të zezën e po ashtu edhe shitja e barnave në të zezën dhe nga njerëz jo kompetent.
Ai ka edhe përmendur disa nga arritjet e OVK-së për vitin që lamë.
“Çmimorja është rrit dhe sipas jush është rritje e kënaqshme. Po ashtu ajo është referencë në AUV. Pyetja parlamentare bërë ministrisë për mungesën e ligjit për OVK, për të cilin kemi Informata se ka hyrë në agjendë qeveritare për sivjet dhe prezantimi ynë në FVE ishte shumë domethënës për ne dhe i mirëpritur nga ta”, njoftoi Limani veterinerët e Llapit.
Këta të fundit kanë vlerësuar punën e OVK-së, kanë thënë që edhe pse me ordinanca ndaras, megjithatë funksionojnë mirë. Por në këtë takim disa kritika i kanë adresuar AUV-së dhe MBPZhR-së sidomos për sa i takon buxhetit, por edhe licencimit të klinikave.
“Buxheti i AUV-së i ndarë për komunën e Podujevës, është shumë i vogël, marrë parasysh që është komuna me më së shumti fshatra në nivel vendi”.
Gjithashtu për ta, raportimi në AUV i PMV-së në mënyrë elektronike është ngarkesë e tepërt, derisa ekziston protokolli ambulantor.
Kritikë tjetër ishte, licencimi i klinikave, sidomos numri i dy teknikëve që po kërkohet.
“Është e panevojshme licencimi për DDD, gjersa veç jemi të licencuar si klinikë”, theksuan ata.
Një nga brengat e tyre është edhe mosha e përcaktuar e viçave për subvencionim.
“Tenderi për matrikulim po përfundon, a viçat po rriten. Subvencionimi i viçave jo i duhur, dhe duhet të ndryshoj mosha”, theksuan ata.
Po ashtu kërkuan nga MBPZhR që t’i njoftoj fermerët për domosdoshmërinë e mbajtjes së librit të fermës, sepse shumë nga ta në mungesë të saj kanë hy në listë të zezë.