Në Prizren ka vazhduar zbatimi i projektit organizuar nga Komisioni Evropian, AUV dhe Oda e Veterinerëve e Kosovës, që ka për qëllim përgatitjen dhe aftësimin e veterinerëve në nivel vendi, për luftimin e sëmundjeve endemike që prekin gjedhet, delet, dhitë, derrat dhe shpendët.
Për veterinerin nga komuna e Prizrenit, Gazmend Vehapi, takimi ishte i frytshëm dhe i mirëseardhur.
Ai ka thënë se, kanë dëgjuar gjëra të reja në lidhje me raportimin e sëmundjeve.
“Mënyra e përhapjes së sëmundjeve në disa regjione të Evropës, sidomos për përhapjen e sëmundjes se avian influenca në Itali. Profesori nga Italia na tregoi se në cilat rajone është përhapur në fillim. Presim në të ardhmen të kemi trajnime të njëjta, pastaj përhapja e sëmundjes gjuha e kaltër”, tha Vehapi.
Ai shtoi se, në përgjithësi na treguan mënyrën e përhapjes së sëmundjeve dhe mënyrën e raportimit të sëmundjeve në vendin tonë.
Këto trajnime për veterinerët nëpër regjione, kanë filluar më 21 shkurt dhe përfundojnë më 2 mars.