Kryetari i Oda e Veterinarëve e Kosovës, Arben Sinani, është dorëhequr nga pozicioni i tij bazuar në rregulloren e punës së OVK-së. Arsyeja e dorëheqjes së tij vije pasi është emëruar profesor asistent në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.
“Kam vendosur të largohem, jo për shkak se kam dëshirë apo dua të largohem nga vështirësitë apo përgjegjësitë e pozicionit që kisha, por e kam obligim, bazuar në statutin e OVK-së, neni 7 pika 7.2., sepse jam zgjedhur profesor asistent në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin “Hasan Prishtina” –Prishtinë”, theksoi ai.
Në vijim Sinani shfaqi gatishmërinë e tij për të vazhduar aktivitetin në OVK si ushtrues detyre deri në momentin e zgjedhjes së kryesisë, njëherësh duke dhënë llogari për çdo gjë dhe gjatë gjithë periudhës sa ishte në këtë pozicion, nëse kërkohet nga ndonjë anëtar i OVK-së, anëtar i KOVK-së apo kryetari i ardhshëm.
Ai falënderoi të gjithë anëtarët e kryesisë për qasjen e mirë dhe kontributin që kanë dhënë secili prej tyre gjatë kësaj periudhe sa ishin bashkë në kryesi të OVK-së.
“Edhe pse ishim “Pa fat”, sepse nga momenti i zgjedhjes tonë në KOVK, për shkak të rrethanave politike jo stabile si dhe problemin që shkaktoi pandemia COVID19, si dhe mungesës së mjeteve financiare për funksionim normal të OVK, unë them se me angazhimin tonë të përbashkët kemi dhënë kontribut, që besoj se do të lenë gjurmë në zhvillimin e OVK-së, prej te cilave ia vlen të përmendim: 1) krijimi i raportit të shkëlqyer me TIKA-n, nga e cila shpresoj që të kemi përkrahje për avancimin e shërbimit veteriner në aspektin profesional dhe 2) krijimi i databazës së OVK, ku me këtë iu lehtësohen anëtarëve të OVK shërbime të shpejta dhe të lehta”, tha ai.
Pavarësisht largimit, Sinani tha se çdo herë është i gatshëm të ndihmoj për të mirën e odës.
Ndërsa kryesia, teksa ia ka aprovuar dorëheqjen, njëzëri ka vlerësuar tejetej kontributin e tij në krye të OVK-së.
Kryesia po ashtu, ka shpallur zgjedhjet e përgjithshme brenda OVK-së, të cilat duhet të mbahen në afat prej 45 ditëve duke filluar nga dita e sotme, njëherësh duke inkurajuar të gjithë ata që duan të marrim përgjegjësi qoftë për kryetar, apo anëtar kryesie të fillojnë përgatitjet.
Dr. sc. Arben Sinani, është zgjedhur në krye të OVK-së më 15 qershor të vitit 2019.