Oda e Veterinerëve e Kosovës, në bashkëpunim me Chosen Family, ka organizuar seminarin dhe workshopin e radhës për profesionistët e fushës së veterinarisë, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë nga Turqia.
Aktiviteti kishte për qëllim avancimin e njohurive profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e vazhdueshme të nivelit të shërbimeve veterinare në Kosovë dhe rajon.
Gjatë seminarit u trajtuan tema të rëndësishme për praktikën veterinare në terren, me fokus në sëmundjet dhe trajtimin e kafshëve të mëdha.
Seminari është hapur nga Armend Cana PhD, shef i Serologjisë dhe Diagnostikës në Laboratorin Kosovar të Ushqimit dhe Veterinarisë Molekulare.
Në fjalën e tij, Cana vlerësoi organizimin e seminarit dhe pjesëmarrjen e profesionistëve të veterinarisë duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave profesionale.
Temat e trajtuara
Në kuadër të seminarit u diskutuan këto tema: Dislokimi i abomazit – ligjërues Prof. dr. Behlul Behluli; Sëmundjet neonatale te viçat pas 5–10 ditëve – ligjërues Prof. Dr. Sezgin Senturk, internist në Fakultetin e Veterinarisë të Universitetit Uludağ; Marketingu i produkteve veterinare nga “Bavet”; Sëmundjet e sistemit respirator te gjedhet – ligjërues Prof. Dr. Sezgin Senturk; Trajtimi i thundrave te gjedhet – ligjërues Prof. Dr. Sezgin Senturk. Pjesa praktike e workshopit u udhëhoq nga DMV. Vedat Syla duke u ofruar pjesëmarrësve mundësi për të ndërlidhur njohuritë teorike me praktikën veterinare.
Hasan Limani: Veterinerët duhet të vazhdojnë të mësojnë gjatë gjithë karrierës

Kryetari i Odës së Veterinerëve të Kosovës, DMV. Hasan Limani, ka theksuar rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet veterinerëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse në seminarin e organizuar nga Oda e Veterinerëve e Kosovës në bashkëpunim me Chosen Family, Limani uroi mirëseardhjen për kolegët veterinerë, ligjëruesit dhe mysafirët duke falënderuar pjesëmarrësit për praninë e tyre.
Ai tha se seminaret nuk shërbejnë vetëm për marrjen e njohurive të reja, por edhe për shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e vazhdueshme të nivelit profesional.
“Shkenca veterinare po zhvillohet çdo ditë, prandaj edhe ne duhet të zhvillohemi bashkë me të”, u shpreh Limani.
Kryetari i OVK-së i inkurajoi pjesëmarrësit që të angazhohen aktivisht në diskutime, të bëjnë pyetje dhe të ndajnë përvojat e tyre profesionale.
Limani theksoi se Oda do të vazhdojë të punojë për krijimin e më shumë mundësive për edukim profesional dhe bashkëpunim për veterinerët e Kosovës.
Në fund, ai falënderoi të pranishmit dhe u uroi një seminar të suksesshëm.
Pjesëmarrës edhe nga institucionet akademike dhe profesionale
Në seminar morën pjesë edhe përfaqësues të Fakultetit të Bujqësisë dhe i Veterinarisë, si dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë.
Nga Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë ishte i pranishëm prodekani, Prof. Asoc. Fatgzim Latifi.
Ndërsa nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë mori pjesë Armend Cana PhD, shef i Serologjisë dhe Diagnostikës në Laboratorin Kosovar të Ushqimit dhe Veterinarisë Molekulare.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve institucionalë kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit veterinar, institucioneve akademike dhe strukturave përgjegjëse për shëndetin dhe sigurinë ushqimore.
Veterinerët vlerësojnë organizimin dhe temat e seminarit
Pjesëmarrësit nga Kosova, Shqipëria, Presheva dhe Maqedonia e Veriut vlerësuan organizimin e aktivitetit dhe rëndësinë e temave të trajtuara.
Danaj: Seminar i mirëorganizuar, një mundësi e mirë për shkëmbim të përvojave profesionale
DMV. Ketjon Danaj nga Gjirokastra shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në seminar duke vlerësuar organizimin dhe ambientin ku u zhvillua aktiviteti.
“Jam shumë i kënaqur që mora pjesë në këtë seminar. Ishte shumë mirë i organizuar, si nga ekipi organizativ, ashtu edhe nga ambienti ku u zhvillua. Falënderoj organizatorët për mikpritjen dhe për mundësinë që na dhanë për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja profesionale me kolegë nga vende të ndryshme”, u shpreh Danaj.
Dalipi: Temat ishin të qëlluara për praktikën veterinare në terren
DMV. Ramadan Dalipi nga Presheva falënderoi kryetarin e Odës së Veterinerëve të Kosovës, DMV. Hasan Limani, për ftesën dhe mundësinë e pjesëmarrjes në seminar.
Ai e vlerësoi aktivitetin si të mirëorganizuar dhe theksoi rëndësinë e temave për punën e përditshme të veterinerëve.
“Fillimisht, falënderoj kryetarin e Odës së Veterinerëve të Kosovës, Dr. vet. med. Hasan Limani, për ftesën dhe mundësinë e pjesëmarrjes në këtë seminar.
Ishte një seminar i mirëorganizuar në aspektin organizativ, me tema shumë të qëlluara për praktikën veterinare në terren. Çështjet që u diskutuan ishin të rëndësishme për praktikën e përditshme dhe të njohura në parim nga veterinerët pjesëmarrës, por megjithatë, kishte çështje të reja që u përmendën, sidomos në mënyrën e trajtimit të disa problemeve në përditshmëri.
Përveç pjesëmarrjes së mirë të kolegëve veterinerë nga e gjithë Kosova, edhe mënyra e organizimit ishte në nivel.
Unë personalisht shpresoj dhe uroj që në të ardhmen të ketë organizime të tilla, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin dhe ngritjen e nivelit profesional të veterinerëve në nivel vendi”, deklaroi Dalipi.
Daci: Duhet më shumë përkushtim për kafshët e mëdha dhe të imta
DMV. Pajtim Daci nga Dibra e Maqedonisë së Veriut e vlerësoi përzgjedhjen e temave të seminarit duke theksuar rëndësinë e trajtimit të çështjeve që lidhen me kafshët e mëdha dhe të imta.
“Një kënaqësi e madhe dhe një përgëzim për temat që ishin prekur në këtë seminar, të cilat lidhen me kafshët e mëdha, ndryshe nga shumë seminare të tjera që po bëhen, të cilat janë më të përqendruara te kafshët e shoqërimit.
Për një mjekësi veterinare të lidhur me shëndetin publik, duhet më shumë përkushtim për kafshët e mëdha dhe të imta. Ju lumtë që i jepni rëndësi sëmundjeve që ndikojnë edhe në shëndetin publik”, u shpreh Daci.
Seminari dhe workshopi i organizuar nga Oda e Veterinerëve e Kosovës dhe Chosen Family synuan të kontribuojnë në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të veterinerëve, përmes ligjëratave, diskutimeve dhe pjesës praktike duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.






















































