Konferenca e 11-të e KSAVA-s dhe OVK-së bashkon veterinerët nga Kosova dhe rajoni – theks në standarde dhe bashkëpunim profesional

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Me pjesëmarrjen e dhjeta veterinerëve nga Kosova dhe rajoni, u mbajt Konferenca e 11-të mbi dermatologjinë veterinere – Moduli IV, bashkëorganizim i KSAVA-s dhe OVK-së, një ngjarje që tashmë është konsoliduar si platformë e rëndësishme për zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mjekësisë veterinere

Presidenti i KSAVA-s, njëherësh anëtar kryesie i OVK-së, Dardan Pozhegu, në fjalimin e tij në Konferencën e 11-të të këtij asociacioni, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë, unitetit dhe avancimit profesional në fushën e mjekësisë veterinare.

Duke iu drejtuar Kryetarit të Odës Veterinare, kolegëve nga Kosova dhe Mali i Zi si dhe bashkëpunëtorëve të pranishëm, ai e cilësoi këtë konferencë si më shumë se një ngjarje kalendarike.

“Njëmbëdhjetë konferenca nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një vizioni të qartë: ngritja e standardeve profesionale, avancimi i dijes shkencore dhe ndërtimi i një komuniteti të fortë kolegial, ku konkurrenca zëvendësohet nga bashkëpunimi,” deklaroi Pozhegu.

Ai nënvizoi se KSAVA nuk është thjesht një organizatë, por një platformë zhvillimi ku dijet e reja shkencore takohen me përvojën praktike duke i bërë profesionistët më të përgatitur për sfidat e kohës moderne.

Sipas tij, në një epokë ku mjekësia veterinere po evoluon me ritme të shpejta, qëndrimi jashtë zhvillimeve ndërkombëtare nuk është opsion, ndërsa pjesëmarrja aktive në aktivitetet e KSAVA-s përbën investim në autoritetin profesional dhe në të ardhmen e profesionit.

Pozhegu vuri theks të veçantë edhe te bashkëpunimi me Odën Veterinare duke e cilësuar atë si strategjik dhe të bazuar në respekt të ndërsjellë.

“Kur KSAVA dhe Oda bashkërendojnë energjitë, përfiton i gjithë sistemi, përfiton profesioni, përfitojnë kolegët dhe përfitojnë pacientët tanë,” u shpreh ai.

Presidenti i KSAVA-s foli edhe për sfidat me të cilat përballet profesioni, nga zhvillimet teknologjike deri te nevoja për harmonizim me standardet evropiane duke theksuar se këto sfida kërkojnë organizim, vizion dhe përfshirje aktive.

Ai i ftoi kolegët që ta shohin KSAVA-n si një strukturë që i përfaqëson dhe i fuqizon duke shtuar se sa më i madh të jetë angazhimi, aq më i fortë bëhet zëri institucional i komunitetit veterinar.

Në fund, Pozhegu falënderoi të gjithë për besimin dhe mbështetjen duke theksuar se përmes unitetit dhe përkushtimit të përbashkët, po ndërtohet një e ardhme më e fortë për mjekësinë veterinere në vend.

Konferenca po mbahet me program dy-ditor, ku ligjëruese janë Dr. Chiara Noli dhe Dr. Roberta Sartori, të cilat po sjellin ligjërata të avancuara teorike dhe sesione praktike me shembuj konkretë dhe punë me mikroskopë.

Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe veterinerët Gentë Hashani dhe Albin Shabani, të cilët po marrin pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë të KSAVA-s dhe OVK-së, si dhe profesionistë nga rajoni duke i dhënë konferencës dimension më të gjerë bashkëpunimi.

“Pjesëmarrja për herë të parë në këtë konferencë është një përvojë shumë e vlefshme për mua. Programi është i strukturuar në mënyrë profesionale dhe pjesa praktike me mikroskopë na jep mundësi ta thellojmë dijen në mënyrë konkrete”, tha veterinerja Gentë Hashani.

Ajo tha se është motivim i madh të jesh pjesë e një komuniteti kaq të angazhuar.

Veterineri Albin Shabani, tha se kjo konferencë po më jep mundësinë të lidhem me kolegë nga Kosova dhe rajoni, si dhe të përfitoj nga përvoja e ligjëruesve ndërkombëtarë.

“Mendoj se aktivitete të tilla janë thelbësore për ngritjen e standardeve dhe për zhvillimin profesional të secilit prej nesh,” tha ai.

Konferenca e 11-të e KSAVA-s dhe OVK-së, konfirmoi edhe një herë përkushtimin e komunitetit veteriner ndaj ngritjes së standardeve profesionale dhe bashkëpunimit rajonal. Përgjatë dy ditëve me ligjërata dhe praktikë intensive, pjesëmarrësit kanë mundësi të thellojnë njohuritë e tyre dhe të shkëmbejnë përvoja me kolegë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në përfundim të seminarit, të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata të vlefshme me 12 pikë kredituese duke e bërë këtë aktivitet jo vetëm një investim në dije, por edhe një kontribut konkret në avancimin e tyre profesional.

KSAVA dhe OVK-ja, vazhdojnë të dëshmojnë se përmes organizimit, unitetit dhe angazhimit të përbashkët, mjekësia veterinere në vendin tonë po ndërton një të ardhme më të fortë dhe më të standardizuar.