Për dy ditë radhazi, Oda e Veterinerëve të Kroacisë organizoi manifestimin tradicional “Ditët e Veterinarisë Kroate”, ku u trajtuan zhvillimet dhe sfidat e profesionit veterinar në rajon. Mysafirë special në këtë ngjarje ishte edhe Oda e Veterinerëve e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari, DMV. Hasan Limani.
Gjatë punimeve, u diskutua gjerësisht për sfidat me të cilat përballen veterinarët në sektorë të ndryshëm — nga pagat e ulëta, rreziqet e profesionit, e deri te nevoja për përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e rolit të veterinarit në mbrojtjen e shëndetit publik.
Në këtë aktivitet morën pjesë të gjithë akterët kryesorë të fushës veterinare në Kroaci, përfshirë shefat e inspektorateve, drejtorët e instituteve, dekanët e fakulteteve veterinare, kryetarë bashkish dhe Ministrin e Bujqësisë, i cili dëgjoi me vëmendje shqetësimet e paraqitura nga profesionistët e fushës.
Kryetari Limani theksoi se kjo pjesëmarrje tregon respektin dhe rëndësinë që i jepet fushës veterinare në rajon duke veçuar faktin se shëndeti publik mbetet një ndër përgjegjësitë më të ndjeshme të këtij profesioni.
Oda e Veterinerëve të Kroacisë shprehu gjithashtu gatishmërinë për të ndihmuar dhe bashkëpunuar ngushtë me Oden e Veterinerëve të Kosovës në çdo drejtim profesional dhe institucional.
Gjatë kësaj ngjarjeje, kryetari Limani zhvilloi takime të frytshme edhe me homologët e tij nga Sllovenia e Hungaria, si dhe me dekanin e Fakultetit të Veterinarisë në Zagreb duke forcuar kështu rrjetin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e veterinarisë.
Në fund, Dr. Hasan Limani falënderoi drejtorin e Odës së Veterinerëve të Maqedonisë, Tomislav Nikolovskin, nënkryetarin e Odës Veterinare të Maqedonisë, Rami Selmanin, si dhe presidentin e Urdhrit Profesionist të Mjekut Veterinar Shqiptar, Ervin Resulin, për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Kosovës. Ai theksoi se falë bashkëpunimit dhe përkushtimit të tyre janë ndërtuar ura të forta lidhëse me miqtë ndërkombëtarë, çka po ndikon dukshëm në zgjerimin e bashkëpunimit rajonal në fushën veterinare.





















