Për katër ditë radhazi në Prizren, organizuar nga “Regional Animal Welfare Centre”, do të mbahet trajnimi mbi menaxhimin e popullacionit të qenve, me pjesëmarrjen e veterinerëve nga rajoni. Trajnimi synon të ofrojë udhëzime për menaxhimin e popullacionit të qenve në mënyrë efektive dhe humane duke çuar në përmirësimin e mirëqenies së qenve dhe duke sjellë përfitime për publikun dhe shëndetin, mjedisor.
Hasan Limani, nënkryetar i Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK), deklaroi se OVK-ja do të përkrahë çdo iniciativë që është në dobi të qytetarëve.
Limani theksoi se një qasje e tillë është e domosdoshme për të siguruar një menaxhim të efektshëm dhe të përgjegjshëm të popullacionit të qenve, duke u bazuar në vlerësimin real të gjendjes në terren dhe në prova konkrete.
“OVK-ja është e përkushtuar të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të qenve në Kosovë, në interes të shëndetit publik dhe mjedisor,” përfundoi Limani.
Veterineri Jeton Muhaxhiri theksoi se menaxhimi i popullatës së qenve duhet të bëhet me qasje të qëndrueshme dhe pozitive.
Ai u shpreh se është thelbësore të kuptohet dinamika e popullacionit të qenve dhe të zbatohen qasjet më efektive për adresimin e kësaj çështjeje, duke u fokusuar në shkaqet rrënjësore të problemeve.