Pas shpërthimit të murtajës së ruminantëve të vegjël (PPR) në Kosovë dhe përhapjes së sëmundjes së gjuhës së kaltër në Maqedoninë e Veriut, Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK) organizoi një seminar të posaçëm për përgatitjen profesionale dhe ndërgjegjësimin e anëtarëve të saj për këto zhvillime serioze në sektorin e shëndetit të kafshëve.
Në seminarin e mbajtur, ligjëruan ekspertë të fushës: Prof. dr. Kurtesh Sherifi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë, me dy prezantime të detajuara për “Murtajën e ruminantëve të vegjël” dhe “Sëmundjen e gjuhës së kaltër”, DMV. Bafti Murati, Shef i Sektorit të Shëndetit të Kafshëve në AUV, i cili foli për zbatimin e legjislacionit për monitorimin e sëmundjeve të kafshëve dhe DMV. Armend Cana, PhD, Shef i Serologjisë dhe Diagnostikës, Laboratori Kosovar i Ushqimit dhe i Veterinarisë Molekulare, që trajtoi aspektet e mostrimit dhe testimit për të dyja sëmundjet.
Kryetari i OVK-së, DMV. Hasan Limani, theksoi se ky seminar u imponua nga nevoja urgjente për të rritur gatishmërinë profesionale në terren.
“Ky seminar na u imponua për shkak të situatës epidemike. Është e domosdoshme të kemi njohuri sa më të freskëta për këto sëmundje. Edhe pse fillimisht u organizua si masë parandaluese pas rasteve në Shqipëri, fatkeqësisht tani kemi raste të konfirmuara edhe në rrethin e Prizrenit”, tha Limani.
Ai tha se duhet të jemi të përgatitur si profesionalisht, ashtu edhe ligjërisht, për të përballuar sa më lehtë këtë sfidë.
Veterinerët e pranishëm vlerësuan lart këtë iniciativë duke theksuar se trajnimi ishte i vlefshëm dhe u ndihmoi të përditësojnë njohuritë për përballimin efikas të sëmundjeve të reja që kërcënojnë shëndetin e blegtorisë në vend.
Ky trajnim profesional u vlerësua me dy pikë krediti në sistemin e edukimit të vazhdueshëm për veterinerët.




