Kryetari i Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK), Hasan Limani, u takua me Kryeshefin Ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi. Gjatë këtij takimi, u diskutuan çështje kyçe për përmirësimin e shërbimeve veterinare në nivel komunal.
Një nga temat kryesore ishte shpërndarja e çmimores së re së OVK-së në të gjitha komunat, me qëllim standardizimin e tarifave për shërbimet veterinare dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve. Gjithashtu, u theksua rëndësia e njohjes së kartelave të Mjekut Veterinar dhe e Teknikut, për të siguruar identifikimin dhe legjitimitetin e profesionistëve në këtë fushë.
Pjesë e diskutimit ishte edhe informimi mbi rolin e Mjekut Veterinar në mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht në parandalimin e sëmundjeve zoonotike që mund të transmetohen nga kafshët te njerëzit. Në këtë kontekst, u trajtuan edhe procedurat për lëvizjen dhe groposjen e kafshëve, për të siguruar menaxhimin e duhur dhe shmangien e rreziqeve për komunitetin.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet OVK-së dhe AKK-së, me synimin për të përmirësuar shërbimet veterinare dhe për të mbrojtur shëndetin publik në Kosovë.