Nën kujdesin e Odës së Veterinerëve të Kosovës (OVK), në kuadër të seminarit të parë me pikëzim njëditor, u promovua libri “Historia e shërbimit veterinar shqiptar 1912–1944”, i autorit Dr. Ymer Elezi. Ky botim vjen si një kontribut i rëndësishëm për dokumentimin dhe ruajtjen e historikut të profesionit të mjekut veteriner në hapësirat shqiptare.

Autori Dr. Ymer Elezi theksoi rëndësinë e këtij punimi për të ndriçuar periudha të historisë sonë profesionale.
“Referuar dokumentacionit, Dr. Bilall Golemi është themelues i shërbimit veterinar shqiptar. Ai vendosi themelet e një profesioni që ka shërbyer me përkushtim në dobi të shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik,” u shpreh Elezi duke falënderuar gjithashtu OVK-në për mbështetjen dhe vlerësimin ndaj kësaj vepre.
Ai tha se Dr. Golemi, përveç në veterinari, u shqua edhe në mjekësinë humane në Turqi.
Kryetari i OVK-së, Hasan Limani, e cilësoi promovimin e librit si një prej momenteve më të veçanta të seminarit.
“Kjo vepër e autorit Elez Ymeri, ish-president i Urdhrit të Mjekut Veterinar të Shqipërisë, është një dëshmi e rrugëtimit të mjekësisë veterinare shqiptare ndër dekada. Ajo i jep vendin e merituar figurave që kanë kontribuuar në ngritjen e këtij profesioni fisnik dhe forcon lidhjen tonë me historinë e përbashkët profesionale shqiptare,” deklaroi Limani.
Ai tha se “Libri historik është armë e urtësisë – me të nuk lufton, por mbrohesh nga harresa.”
Ky promovim është vlerësuar nga të pranishmit si një nismë e rëndësishme që jo vetëm ruan kujtesën institucionale, por edhe frymëzon brezat e rinj për t’u angazhuar me dinjitet dhe përkushtim në mjekësinë veterinare.