Kryetari i Oda e Veterinëve e Kosovës (OVK), Hasan Limani, ka hapur sot seminarin e parë me pikëzim njëditor, një ngjarje e rëndësishme që synon shkëmbimin profesional, përditësimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të fushës së mjekësisë veterinare.
Në fjalën e tij, Limani falënderoi profesorët e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare – Prof. Behul Behluli, Prof. Kurtesh Sherifi dhe Prof. Armend Cana nga AUV-ja, për kontributin dhe përkushtimin ndaj brezave të rinj.
Një moment i veçantë i seminarit ishte promovimi i librit historik të autorit Dr. Ymer Elezi, ish-president i Urdhrit Profesionist të Mjekut Veterinar Shqiptar, që pasqyron rrugëtimin e mjekësisë veterinare shqiptare.
“Urimet më të përzemërta i drejtoj për kolegët tanë veterinerë, që janë themeli i punës sonë të përditshme në terren, si dhe për studentët, të cilët janë e ardhmja e këtij profesioni fisnik. Vullneti dhe përkushtimi juaj janë njëdritë e fortë për të ardhmen”, tha ai.
Limani shprehu mirënjohje për sponsorët “Monuni” dhe “Hasvet”, si dhe për restorantin “Trofta” për mbështetjen dhe nderimin e kolegut Hakiut.
“Mbështetja juaj është dëshmi e vlerësimit për profesionin tonë dhe motivim për organizime të tjera në të ardhmen,” theksoi Limani duke uruar një ditë të suksesshme dhe të mbushur me frymëzim profesional për të gjithë pjesëmarrësit.
Ky seminar u vlerësua me 5 pikë.












