OVK-ja pjesë e punëtorisë ndërkombëtare STRUCTUVET për avancimin e arsimit veterinar

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Oda e Veterinerëve e Kosovës, e përfaqësuar nga nënkryetari i saj, DMV. Fitim Ahmeti mori pjesë në Punëtorinë Ndërkombëtare STRUCTUVET, e cila u mbajt më 12 dhe 13 nëntor 2026 në Universitetin e Prishtinës. Pjesë e takimit ishin edhe anëtarët e saj: DMV. Hyzri Ymeri dhe DMV. Uran Rexhepi.

Punëtoria, me temën “Arsimi veterinar në një udhëkryq: Sfidat, inovacioni dhe veterineri i së ardhmes”, mblodhi ekspertë akademikë, profesionistë veterinarë dhe përfaqësues institucionalë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe diskutimit mbi të ardhmen e arsimit veterinar në Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të këtij aktiviteti u trajtuan disa çështje të rëndësishme për zhvillimin e profesionit veterinar, përfshirë reformimin e kurrikulave mësimore dhe akreditimin ndërkombëtar sipas standardeve të EAEVE/ESEVT.

Sesioni i parë u përqendrua në sfidat e reformimit të programeve mësimore veterinare, proceset e akreditimit, nevojat institucionale dhe perspektivat rajonale duke theksuar rëndësinë e harmonizimit të arsimit veterinar me standardet ndërkombëtare.

Ndër temat e tjera të trajtuara ishin avancimi i trajnimeve praktike, inovacioni në arsim dhe përgatitja e veterinerëve të së ardhmes, të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave dhe sfidave të profesionit.

Pjesëmarrja e Odës së Veterinerëve të Kosovës në këtë aktivitet përfaqëson angazhimin e saj në proceset e zhvillimit dhe avancimit të profesionit veterinar, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave profesionale.

Përmes bashkëpunimit akademik, institucional dhe rajonal, aktivitete të tilla synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit veterinar dhe rritjen e njohjes së tij në nivel ndërkombëtar.