OVK-ja pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të FVE-së në Kretë të Greqisë

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Oda e Veterinerëve e Kosovës ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Federatës së Veterinerëve të Evropës (FVE), të cilat u zhvilluan për tre ditë me radhë në Heraklion (ishulli i Kretës) të Greqisë.

Gjatë zhvillimit të punimeve Asamblesë, drejtues të OVK-së u mirëpritën nga presidenti i kësaj organizate Siegfrid Moder dhe presidentja e Asociacioni i Veterinerëve të Greqisë Athina Trahili. Po ashtu, delegacioni i OVK-së ka pasur takime të shumta me përfaqësues të pothuajse të gjitha delegacioneve prezentë nga shtete të ndryshme evropiane, me të cilat diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.

“Theks i veçantë iu kushtua legjislacionit të tyre, meqë tash jemi në finalizim të draftligjit për OVK-në”, tha Arsim Ademi, kryetar.

Në këtë asamble, Armenia nga anëtar vëzhgues, u zgjodh anëtar me të drejta të plota.

Në përmbyllje të punimeve të kësaj asambleje, nikoqires së këtij takimi dhe njëherësh kryetares së Asociacionit të Veterinerëve të Greqisë, iu dhurua një gur me logon e OVK-së.

Ndryshe, FVE është organi përfaqësues evropian për profesionin veterinar në Evropë. Është organi ombrellë për shoqatat (odat) veterinare nga 38 vende evropiane (44 shoqata anëtare dhe 2 vëzhgues).

Ato përfaqësohen nëpërmjet katër seksioneve që janë brenda ombrellës së FVE-së e që janë: Unioni i Mjekëve Veteriner të Evropës (UEVP); Shoqata Evropiane e Veterinerëve Zyrtarë Shtetëror (EASVO); Unioni i Higjienistëve Veteriner të Evropës (UEVH) dhe Veterinerët Evropian në Arsim, Kërkim dhe Industri (EVERI).

FVE është një organizatë jofitimprurëse. Të ardhurat që vijnë kryesisht nga tarifat e anëtarësimit riinvestohen të gjitha për t’i shërbyer profesionit të veterinarisë.

Në fund, duam të falënderojmë nga zemra edhe donatorët: “Jonatan”, “Malafarm” dhe “Monuni”, që na mundësuan pjesëmarrjen në këtë ngjarjeje të rëndësishme për profesionin e veterinarisë.