Krerët e OVK-së në vazhdën e vizitave të tyre në vend, janë pritur në Skenderaj dhe Drenas.
Pas njoftimit me aktivitetet e OVK-së, në një fjalim para pjesëmarrësve dr. Hajrullah Mecini me një përvojë 30 vjeçare, u bëri thirrje kolegëve me përvojë të gjatë që të përkrahin kolegët e rinj dhe të bashkëpunojnë ngushtë me ta, në mënyrë që të jenë sa më të suksesshëm gjatë ushtrimit të profesionit veteriner.
“Apeloj që të bashkëpunojnë të gjithë kolegët mes vete, po ashtu kërkoj nga kolegët e rinj, që të gjitha rregullat e akteve veterinere të respektohen në plotësisht ”,tha Mecini.
Veterinerët nga Skenderaj, me insistimin e tyre arritën që drejtpërdrejtë të lidhin bashkëpunim dhe atë në prezencë të OVK-së.
Pas kësaj, kryetari Xhevdet Krasniqi, i përgëzoi për bashkëpunimin e mirëfilltë të tyre dhe u shpreh i kënaqur se pothuajse në të gjitha komunat, po haset në gatishmërinë e bashkëpunimit mes kolegëve.
“Edhe ne si OVK, jemi më të inkurajuar duke parë që kolegët tanë po i respektojnë vendimet e qendrës”, tha Krasniqi.
Për shkak të zgjatjes së takimit, nënkryetari Hasan Limani, mbajti një takim të ndarë në Drenas, ku i njoftoi veterinerët e këtij qyteti me aktivitetet e odës, dhe për së afërmi u njoftua me sfidat që po i hasin në terren gjatë ushtrimit të funksionit veteriner.
Në të dy takimet, u premtua nga udhëheqësit e OVK-së, se pasi t’i mbledhin të gjitha vërejtjet, do t’i adresojnë në organet gjegjëse.