Veterinerët e rajonit vlerësojnë prezantimin e Prof. dr. Kurtesh Sherifit në kongresin e Odës së Veterinerëve të Maqedonisë

Në kuadër të 30-vjetorit të themelimit, Oda e Veterinerëve e Maqedonisë, ka organizuar një kongres të rëndësishëm në Ohër, duke mbledhur organizata homologe nga rajoni dhe më gjerë.

Një ndër temat kryesore të këtij kongresi ishte prezantimi nga Prof. dr. Kurtesh Sherifi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, i cili trajtoi çështjen e përhapjes së patogjenëve te qentë të transmetuar nga vektorët në Kosovë.

Ky prezantim ka marrë vlerësime të larta nga pjesëmarrësit, përfshirë veterinerët.

Haki Bytyqi veteriner nga Kosova tha se, prezantimi i Prof. dr. Kurtesh Sherifit ishte një shtysë e madhe për të kuptuar më mirë sfidat që hasim në fushën e shëndetit të kafshëve në Kosovë.

“Përhapja e patogjenëve përmes vektorëve është një çështje që kërkon më shumë vëmendje dhe studim, dhe puna e tij është thelbësore për përmirësimin e praktikave veterinare”, tha Bytyqi.

Për veterinerin nga Maqedonia e Veriut Haris Miftari, prezantimi i Prof. Sherifit solli një perspektivë të re dhe shumë të rëndësishme për të gjithë ne në këtë kongres.

Ai tha se, Prof. Kurteshi theksoi me kompetencë ndikimin e patogjenëve që transmetohen nga vektorët, një problem i përhapur që kërkon zgjidhje rajonale.

“Kontributi i tij është i pazëvendësueshëm në këtë drejtim”, tha Miftari.

Edhe Veterineri nga Shqipëria, Edvin Çelaj vlerësoi studimin e Prof. Sherifit.

“Është një hap i rëndësishëm për veterinerët e rajonit. Informacionet që ndau janë të një rëndësie të veçantë për shëndetin e kafshëve, dhe prezantimi i tij ishte shumë i mirëpritur”, tha ai.

Çelaj tha se, këto njohuri janë thelbësore për të gjithë ata që punojmë në këtë fushë.