Kryetari i OVK-së, Arsim Ademi, në një fjalë rasti ka shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen e Dr. Chiara Noli, Specialiste në fushën e Dermatologjisë Veterinare, e cila është anëtare e Bordit të Drejtorëve të Kolegjit Evropian të Dermatologjisë Veterinare (ECVD).
Kryetari e konsideroi mjaft të rëndësishëm organizimin e trajnimeve të tilla në fushën e dermatologjisë.
“Jam shumë mirënjohës nga pjesëmarrja e saj për të ndarë përvojat në fushën e dermatologjisë”, tha kryetari i OVK-së duke theksuar që në të ardhmen, trajnime të tilla të bëhen obligative, sikurse është në gjithë vendet e rajonit, në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional, si kusht për avancimin profesional të veterinerëve, por edhe për licencimin dhe rilicencimin e tyre.
Dr. Noli tha se, ndihet e kënaqur që me kolegët nga Kosova të ndajë disa përvoja italiane në fushën e dermatologjisë veterinare në përgjithësi, e në veçanti ekzaminimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme në fushën e dermatologjisë.
Kjo konferencë e VI me radhë, organizohet nga KSAVA me mbështetjen e Oda e Veterinerëve e Kosovës.
Ky trajnim, është moduli i 2-të në fushën e Dermatologjisë Veterinere për kafshët e shoqërimit.
Në këtë konferencë do të ligjërojnë duke ndarë përvojat me veterinerë të Kosovës për kafshët shoqëruese, Dr. Chiara Noli, DVM dhe Dr. Natalia Fanton DVM, Dip ECVD.
Nga viti 1992 deri në vitin 1995 ajo ndoqi një periudhë specializimi në dermatologji veterinare në Universitetin e Utrecht-it, Holandë dhe në dermatopatologji në Universitetin e Bernës, Zvicër.
Në vitin 1996 ajo ishte e para italiane që mori Diplomën e Kolegjit Evropian të Dermatologjisë Veterinare (Dip ECVD).
Ajo ishte Presidentja e parë e Shoqatës Italiane të Dermatologjisë Veterinare (SIDEV), anëtare e Bordit të Drejtorëve të Shoqatës Ndërkombëtare të Dermatopatologjisë Veterinare (ISVD), Presidente e Shoqatës Evropiane të Dermatologjisë Veterinare (ESVD) dhe anëtare e Bordit të Drejtorët e Shoqatës Botërore të Dermatologjisë Veterinare (WADA).
Aktualisht është anëtare e Bordit të Drejtorëve të Kolegjit Evropian të Dermatologjisë Veterinare (ECVD). Ajo është folëse në kurse dhe konferenca të shumta italiane dhe ndërkombëtare, autore e më shumë se 100 artikujve në revista italiane dhe të huaja dhe nëntë kapituj librash. Është bashkëautore e botimit të parë dhe të dytë të librit “Dermatologjia e qenve dhe maceve”, Poletto Editore, 2002 dhe 2011, i përkthyer edhe në gjermanisht, dhe i librit-atlasit “Dermatology Clinica del Cane e del Gatto”. Poletto Editore, 2009, i përkthyer në gjermanisht dhe spanjisht. Ajo ishte redaktore e librit “Alergjia Veterinare” (Wiley 2014).