Demelezi: MBPZhR e fokusuar në forcimin e shërbimeve veterinare, legjislacion modern dhe rritje të mirëqenies së kafshëve

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Bujqësisë, të Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka theksuar se si ministër do të jetë gjithmonë i pranishëm dhe me peshë në seminare, forume dhe konferenca ku mblidhen profesionistët e fushave përkatëse duke e konsideruar këtë jo vetëm kënaqësi, por edhe domosdoshmëri institucionale.

Demelezi theksoi se pjesëmarrja aktive në këto aktivitete shërben si platformë për përkrahje të drejtpërdrejtë të profesionistëve, shkëmbim të arritjeve, ideve, rekomandimeve dhe informacioneve, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të politikave publike dhe përcaktimit të fokusit për të ardhmen.

Sipas tij, MBPZhR dhe Qeveria e Kosovës janë të fokusuar në mirëqenien e kafshëve si bazament apo parakusht për mirëqenien e shëndetit të njerëzve apo ngjashëm. Përkrahja institucionale deri më tani ka qenë e orientuar në përmirësimin e politikave ekzistuese, rritjen e përkrahjes monetare si dhe shtimin e mbështetjes për nënsektorë që më herët nuk kanë qenë të përfshirë. Gjatë këtij mandati, fokusi është rritur veçanërisht në sektorin e blegtorisë, ndërsa në vitet në vijim kjo përkrahje pritet të zgjerohet dhe diversifikohet edhe më tej.

Një aspekt me rëndësi të veçantë, sipas Demelezit, është edhe struktura rregulluese, përkatësisht legjislacioni dhe standardet. Ai bëri të ditur se legjislacioni i ri është draftuar në harmoni me rregulloret e Bashkimit Evropian dhe, ndryshe nga ligji aktual për veterinari, do të trajtojë ndaras shërbimet veterinare përmes Ligjit për Veterinari, ndërsa shëndeti i kafshëve do të rregullohet me Ligjin për Shëndetin e Kafshëve.

Me legjislacionin e ri, përveç rritjes së efikasitetit të shërbimeve veterinare, do të ketë edhe delegim më të qartë të përgjegjësive. Po ashtu, në kombinim me digjitalizimet ekzistuese dhe ato të planifikuara, shërbimet veterinare do të jenë më efikase dhe më liberale në aspektin e shërbimit, prodhimit dhe tregut. Në këtë mënyrë, do të përmbushet edhe një nga kërkesat e Marrëveshjes së Berlinit, ajo për njohjen e profesioneve të veterinerëve ndërmjet shteteve të rajonit.

Demelezi theksoi gjithashtu se Oda e Veterinerëve të Kosovës është një partner i domosdoshëm për adresimin e sfidave që lidhen me shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik në përgjithësi. Sipas tij, bashkëpunimi institucional dhe profesional, sidomos me profesionistët që janë në vijën e parë të ballafaqimit, është me interes të veçantë nacional.

Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se është krijuar një grup punues ndërmjet MBPZhR-së, AUV-së dhe OVK-së, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve dhe trajtimit të të gjitha çështjeve që dalin nga Marrëveshja e Berlinit. Demelezi theksoi se zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është obligim kushtetues dhe se po punohet që të krijohet baza e nevojshme ligjore dhe përfaqësim sa më profesional i shërbimeve vendore dhe i profesionistëve të veterinarisë.

Në fund, Demelezi paralajmëroi se në vitet në vijim do të shtohet përkrahja përmes granteve të vogla për ferma, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës, rritjes së cilësisë, shtimit të prodhimit, përpunimit dhe diversifikimit të nënprodukteve dhe të hyrave duke u ofruar konsumatorëve dhe vendit më shumë produkte dhe me cilësi më të lartë.

Nuk ka me shume lajme