Në kuadër të shënimit të 50-vjetorit të Federatës së Veterinerëve Evropianë (FVE), në Qipro u mbajt Asambleja e Përgjithshme, një ngjarje madhore që bashkoi organizata dhe shoqata veterinare nga e gjithë bota. Mes tyre mori pjesë edhe Oda e Veterinarëve e Kosovës, përfaqësuar nga Kryetari Hasan Limani dhe Nënkryetari Fitim Ahmeti, e cila është pjesë aktive e Shoqatës Botërore të Veterinerëve me të drejtë vote duke kontribuar drejtpërdrejt në politikat dhe vendimmarrjet evropiane e globale.
Strategjia 2026–2030, e miratuar gjatë takimit, u cilësua si një udhërrëfyes i ri për një profesion më të fortë, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt konceptit One Health – One Welfare. Po ashtu, FVE miratoi një deklaratë pozicionuese për vaksinimin e kafshëve duke e cilësuar atë si shtyllë themelore të shëndetit publik dhe qëndrueshmërisë socio-ekonomike.
Një prej pikave të rëndësishme ishte diskutimi për mbylljen globale të fermave të gëzofit, në bashkëpunim me FECAVA dhe WSAVA, për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve dhe për të ndalur praktikat e dëmshme. U trajtuan edhe rregulla më të forta për identifikimin dhe regjistrimin e qenve e maceve, ndalimin e sakatimeve parandaluese dhe standardizimin e mirëqenies për shumuesit në të gjitha nivelet.
Çështja e ngarkesës administrative të veterinerëve u ngrit si shqetësim i përbashkët, me theks në domosdoshmërinë për mjete digjitale, mbështetje administrative dhe rregullore më efikase që u mundësojnë veterinerëve të përqendrohen te kujdesi ndaj kafshëve.
Takimi u pasurua nga prezantimet e përfaqësuesve të UEVP, UEVH dhe EVERI, të cilët ndanë përvojat dhe strategjitë për edukim, kërkim dhe industri veterinare në nivel evropian.
Roli dhe angazhimi i OVK-së
Delegacioni i OVK-së zhvilloi takime të rëndësishme dypalëshe duke shtyrë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës si vëzhguese, dhe në të ardhmen, si anëtare me të drejtë vote në organizatat kryesore evropiane.
Në këtë asamble, një shoqatë nga Ukraina u pranua si anëtare vëzhguese, vendim që solli pakënaqësi nga Shqipëria dhe Kroacia, të cilat theksuan se Kosova i meriton të njëjtat të drejta. Në vijim, Doktoresha Gloria Hylviu, e autorizuar nga Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar të Shqipërisë, mbajti një fjalim të fuqishëm duke theksuar se Kosova plotëson të gjitha kriteret për anëtarësim në UEVP. Fjalimi i saj u prit me duartrokitje të gjata dhe mbështetje unanime, ndërsa përfaqësuesi i Austrisë e mbështeti publikisht këtë qëndrim.
Lobim i fuqishëm dhe miqësi ndërkombëtare
Në kafe-breake, takime të hapura e mbrëmje të organizuara, lobimi nga delegacioni i Kosovës, Presidenti i UPMVSh-së, Resuli, Drejtoresha Hylviu, Zëvendës Kryetari i Maqedonisë së Veriut Selmani dhe shumë miq të tjerë, intensifikoi bashkëpunimin dhe forcoi prezencën e Kosovës në arenën evropiane dhe botërore.
Oda e Veterinerëve e Kosovës shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e miqve nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia, Austria dhe Gjermania, të cilët me bashkëpunim, profesionalizëm dhe mikpritje kontribuuan në rritjen e ndikimit ndërkombëtar të vendit tonë.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm për afirmimin e profesionit veterinar në Kosovë duke forcuar rolin e Odës në vendimmarrjet ndërkombëtare dhe duke hapur rrugën për bashkëpunime të reja strategjike në politikat e shëndetit të kafshëve dhe mirëqenien globale.
















