Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK), në bashkëpunim me KSAVA, ka organizuar sot seminarin e radhës profesional, i vlerësuar me 10 pikë krediti, me pjesëmarrjen e veterinerëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, lektorëve vendorë e ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve institucionalë.
Seminarin e hapi kryetari i OVK-së, Hasan Limani, i cili në fjalën e tij përshëndeti kolegët veterinerë, lektorët, studentët dhe mysafirët nga rajoni duke e cilësuar ngjarjen si një dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm për avancimin profesional, forcimin e dijes shkencore dhe ngritjen e standardeve të shërbimit veterinar në Republikën e Kosovës.
Limani theksoi se seminari përfaqëson një mundësi të rëndësishme për përditësimin e njohurive profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe trajtimin e çështjeve aktuale që lidhen drejtpërdrejt me profesionin e veterinerit, veçanërisht në kontekstin e ndërlidhjes së sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik.
Ai falënderoi në mënyrë të veçantë lektorët për kontributin e tyre profesional dhe shkencor, si dhe kolegët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duke vlerësuar se prania e tyre forcon bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e praktikave të mira në fushën e veterinarisë.
Duke shfrytëzuar praninë e ushtruesit të detyrës së ministrit të MBPZhR-së, z. Imri Demelezi, i cilësuar si ministri i parë i profesionit, kryetari i OVK-së ngriti një çështje thelbësore për të ardhmen e profesionit veterinar në Kosovë. Ai theksoi se Draftligji për Veterinarinë është një nevojë e kamotshme dhe jetike për rregullimin e mirëfilltë të profesionit, forcimin e rolit të Odës, garantimin e standardeve profesionale dhe harmonizimin me legjislacionin evropian.
Në këtë kontekst, Limani bëri thirrje institucionale dhe me respekt që ky draftligj të procedohet sa më parë drejt Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim duke shprehur bindjen se miratimi i tij do të përbënte një hap të madh përpara për profesionin veterinar, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në përgjithësi.
Në përmbyllje, kryetari i OVK-së ftoi pjesëmarrësit që seminari të shfrytëzohet si hapësirë për dialog profesional, shkëmbim përvojash dhe ndërtim të ideve konkrete që do të reflektohen drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve veterinare dhe në interes të qytetarëve duke e shpallur zyrtarisht të hapur seminarin.
















