10 vjet i Urdhrit Profesionist të Mjekut Veterinar Shqiptar

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Email

Në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të Urdhrit Profesionist të Mjekut Veterinar Shqiptar (UPMVSh), në një ceremoni solemne ku morën pjesë shumë delegacione nga vendet e Evropës, pjesëmarrëse ishte edhe Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK).

Ngjarja u hap me fjalën përshëndetëse të presidentit të UPMVSh-së, z. Ervin Resuli, i cili theksoi rrugëtimin e vështirë, por të suksesshëm të këtij institucioni gjatë një dekade pune në rregullimin, përfaqësimin dhe forcimin e profesionit veterinar në Shqipëri.

Përmes një dokumentari u pasqyrua historia e themelimit dhe zhvillimit të Urdhrit, si dhe kontributi i individëve dhe institucioneve që ndihmuan në ngritjen e tij. Në vazhdim u ndanë mirënjohje për themeluesit dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në këtë proces.

Gjatë ditës së dytë, delegacionet zhvilluan disa takime të rëndësishme institucionale. Fillimisht, u takuan me zëvendësministrin e Bujqësisë të Shqipërisë, një mbështetës i fortë i profesioneve të rregulluara me ligj. Ai njoftoi për rrugën që po ndjek Shqipëria drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve.

Më pas, delegacioni i OVK-së u prit në një takim të përzemërt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë nga ambasadori Skënder Durmishi, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve profesionale të të dyja vendeve dhe për avancimin e fushës veterinare në kuadër të standardeve rajonale.

Një moment veçanërisht mbresëlënës i qëndrimit ishte edhe vizita në “Vet Hospital Tirana”, një klinikë moderne e konsideruar model jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, pronë e z. Marvin Brahja. Kjo vizitë shërbeu për shkëmbim përvojash profesionale dhe për njohje më të afërt me standardet bashkëkohore të praktikës veterinare.

Nuk ka me shume lajme